Zjarri dëmton QMF-në në Ratkoc, digjet një autoambulancë – një i dyshuar në kërkim

Një incident me zjarr ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku si pasojë janë shkaktuar dëme materiale në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), përfshirë djegien e një autoambulance.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Telegrafin se rreth orës 02:40 është raportuar për zjarr në ambientet e QMF-së në Ratkoc.
Sipas tij, njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, ndërsa zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të kësaj qendre shëndetësore.
“Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme edhe në objektin e QMF-së. Zjarri është lokalizuar me kohë dhe fatmirësisht nuk ka pasur pasoja për njerëzit”, ka deklaruar Elezaj.
Ai bëri të ditur se, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “zjarrvënie”, ndërsa Policia është në kërkim të një personi të dyshuar.
Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti./Telegrafi/
















































