Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se fshati Zhur nga sot do të ketë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë.

Sipas Totajt, projekti i realizuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka përfshirë ndërtimin dhe instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, me qëllim të zgjidhjes së problemit të furnizimit me ujë për banorët e këtij fshati.


"Pas shumë viteve, Zhuri nga sot do të furnizohet me ujë të pijshëm 24/7", ka shkruar Totaj në një postim në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se në kuadër të këtij projekti janë vendosur rreth 42 mijë e 500 metra gypa të polietilenit dhe janë instaluar afro 1 mijë e 400 ujëmatës jashtë pronave private.

"Ky projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ka përfshirë ndërtimin dhe instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, vendosjen e rreth 42.500 metrave gypa të polietilenit dhe instalimin e afro 1.400 ujëmatësve jashtë pronave private, që më në fund e ka zgjidhur këtë problem jetësor për banorët e fshatit Zhur", ka deklaruar kryetari i Prizrenit.

Totaj ka uruar banorët e Zhurit për përfundimin e këtij projekti, duke shkruar: "Ta gëzoni, zhurianë!". /Telegrafi/