Zhbllokohet situata për KQZ-në

Fatmir Xhafaj tha se Partia Socialiste nuk ka kundërshtim për seancën dëgjimore me të gjithë kandidatët, përfshi edhe ata për anëtarë, çështje që sipas kreut te Qeverise Sali Berisha një ditë me parë kishte sjellë edhe bllokimin për shkak të refuzimit të opozitës.
"Të gjitha kandidaturat për anëtarë dhe për kryetar të kalojnë në një seancë dëgjimore, duke përcaktuar një limit kohe, në gjykimin maksimumi për secilin duhet të ishte jo më shumë se 10 minuta, për të parë kriteret ligjore të secilit kandidat që do të jetë i pranishëm, duke nisur që të mërkurën në orën 9.00", tha Xhafaj.
"Kodi nuk është mirë të lexohet një herë ditën dhe një herë natën, kështu që le të jemi të kënaqur për marrëveshjen që arritëm në Komision, si Komision, për mënyrën se si do të procedojmë dhe le t'i lëmë mundësinë seancës dëgjimore të provojë maksimumin e mundshëm të rezultateve", tha kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali.
Ne Komision u ra dakord që ditën e mërkurë të nisin seancat dëgjimore me 26 kandidatët, për anëtarë dhe kryetar të KQZ-së. Marrëveshja e konkluduar në disa minuta kaloi me tone humori në Komisionin e Ligjeve, ndryshe nga një mbledhje më herët që për të njëjtën çështje, Rusmali e Gjiknuri replikuan ashpër.
Por situata mbetet e pandryshuar për ligjet me 3/5. Opozita nuk ka qenë prezente gjatë vijimit të shqyrtimit të Projektit për Nëpunësit Civilë, duke i mbetur kushtit se nuk do të marrë pjesë në asnjë diskutim të ligjeve, që kërkojnë shumice të cilësuar derisa të zbatohen vendimet e Gjykatës së Lartë për Qarkun Fier. /Telegrafi/


















































