LAJMI I FUNDIT:

Zgjidhja e problemit të sterilitetit

Zgjidhja e problemit të sterilitetit

Nëse kenë bërë përpjekje që të mbeteni shtatzënë për 12 muaj rresht, ju dhe burri juaj duhet të caktoni termin dhe të takoheni me një gjinekolog. Nëse jeni më e moshuar se 35 vjeç, duhet ta vizitoni gjinekologun pas 6 muaj përpjekjesh të pasuksesshme për të mbetur shtatzënë.

Dr. mr. sci. Memli Morina
gjinekolog – obstetër
045 72 57 25
049 66 77 22

Gjinekologu bën një bisedë me ju (kjo është anamneza) dhe pastaj do t’ju bëjë disa analiza juve dhe burrit tuaj.


Te gratë gjinekologu duhet të bëjë këto analiza:
• strisho e qafës së mitrës
• analiza e gjakut për t’u vërtetuar se a jeni e imunizuar kundër rubellës. Rubella nëse shfaqet në tremujorin e parë të shtatzënisë, shkakton defekte te beba brenda në mitër
• analiza për klamidia. Klamidiaza është një sëmundje e cila bartet me marrëdhënie seksuale e cila mund të bllokojë tubat e mitrës.
• analiza e gjakut për të parë a keni ovulacion.
• analiza e gjakut për të parë a keni disbalans të hormoneve.

Te burri bëhet:
• spermogrami – ose testimi i spermës
• analiza për klamidia

Nëse të gjitha këto analiza dalin normale, atëherë gjinekologu duhet t’ju rekomandojë disa ndryshime në mënyrën e jetës për ju dhe burrin tuaj. Nëse me analiza zbulohet ndonjë problem, atëherë gjinekologu duhet t’ju rekomandojë strategjinë e trajtimit të sterilitetit.

Po pastaj… çfarë ndodh më tutje?
Ju, burri juaj dhe gjinekologu do të jeni një ekip. Ju do të punoni së bashku për të zgjidhur problemin që ju pamundëson të keni fëmijë. Organet seksuale mashkullore dhe femërore janë shumë të ndërlikuara. Gjinekologu i cili merret me mjekimin tuaj, duhet të jetë i trajnuar që të riparojë çdo çrregullim në këtë mekanizëm të ndërlikuar.
Gjinekologu duhet t’ju pyesë në detale për ciklin menstrual: kur ju kanë ardhur menstruacionet për herë të parë, sa ditë zgjatë cikli menstrual, a keni shumë gjakderdhje dhe a keni dhimbje gjatë ciklit ose pas tij.
Gjinekologu duhet të bëjë edhe pyetje tjera më specifike, për shembull: a keni pasur ndonjëherë sëmundje që barten me marrëdhënie seksuale, a keni pasur ndonjë abort (spontan ose artificial), sa shpesh keni marrëdhënie seksuale, a përdorni ndonjë lubrifikant si dhe shumë pyetje tjera.

Është me rëndësi që të keni besim te gjinekologu të cilin e keni zgjedhur, sepse atij duhet t’i tregoni shumë gjëra të cilat janë private. Prandaj, jo shumë gjëra do të mbesin private. Nëse e konsideroni me leverdi, caktoni një termin pa burrin tuaj. Ndoshta mund të keni gjëra që doni t’i bisedoni me gjinekologun pa praninë e burrit.

Çfarë analizash do të bëhen?
Gjinekologu duhet të bëjë një vlerësim komplet tuajin dhe të burrit tuaj. Fillimisht do të bëhen analizat të cilat u thanë më sipër. Mbani mend se shumica e analizave dhe e procedurave duhet të kryhen në fillim të ciklit menstrual, prandaj duhet që paraprakisht (ndoshta disa javë përpara) të bisedoni me gjinekologun dhe ta caktoni datën kur do të bëhen analizat.

Analiza shtesë të gratë janë:
• ekzaminimi me ultrazë – bëhet për të vlerësuar mitrën, tubat e mitrës dhe vezoret.
• përcjellja e folikulave – me ndihmën e ultrazërit gjinekologu përcjell vezoret dhe shikon se a lirohen qelizat vezë.
• Hysterosalpingogram (HSG): është një procedurë gjatë së cilës futet në mitër kontrasti për të parë mos ka bllokim të tubave të mitrës ose ndonjë anomali tjetër, si për shembull adhezione ose miomë.
• laparoskopia – është një intervenim kirurgjik kur përmes kamerës shihet brendia e barkut.
• histeroskopia – është procedurë kur brenda në mitër futet kamera për të parë a ka ndonjë problem në mitër, si për shembull mioma.
• Histerosalpingo-kontrast sonografia (HyCoSy) – është procedurë në të cilën me ndihmën e ultrazërit vërtetohet brendia e mitrës dhe kalueshmëria e tubave.
• biopsia e endometriumit – në raste të rralla gjinekologu mund ta konsiderojë me leverdi që të marrë një copë indi nga shtresa e brendshme e mitrës dhe të bëjë analizën e atij indi.

Për burrat:
• analiza e spermës – mjeku do të bëjë një ekzaminimi gjatë së cilit analizohet sperma me mikroskop.

Cilat janë gjasat që të zgjidhet problemi?
Në shumë raste, steriliteti nuk shkaktohet nga vetëm një faktor i vetëm. Disa probleme detektohen më vështirë, prandaj mund të jetë e vështirë që të vihet diagnoza e saktë.

Në rreth 19% të rasteve, analizat nuk tregojnë se ka ndonjë anomali. Në këtë rast gjinekologu ju thotë se bëhet fjalë për “sterilitet të pasqaruar”. Por, mos keni merak! Edhe problemet të cilat shkaktojnë “sterilitet të pasqaruar” mund të trajtohen me barna dhe me teknika të koncepcionit të asistuar. Përveç kësaj, nëse vazhdoni të mjekoheni, ka gjasa që të mbeteni shtatzënë me rrugë natyrore, sidomos nëse jeni në moshë të re dhe nuk ka kaluar shumë kohë që nga vënia e diagnozës.

Shpeshherë ju mund të keni një ngarkesë emocionale gjatë kryerjes së analizave dhe të procedurave, prandaj përpiquni që të gjeni mënyra pozitive për t’u ballafaquar me këtë problem.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori