Kur në vitin 2004 u bë anëtarësimi i 10 anëtarëve të rinj, u mendua se ndarja e Evropës u duk e tejkaluar, por menjëherë te disa vende evropiane filloi të ndjehej një lloj frike, ku disa kryetarë të qeverive të BE-së u deklaruan se pa Marrëveshjen e reformuar të Lisbonës nuk do të ketë më anëtarësim tjetër në BE, përveç në një kohë më të mirë, me ç’ rast, do të mund të bëhet vetëm anëtarësimi i Kroacisë.

Edhe ky anëtarësim ka ngecur, për shkak të mosmarrëveshjes kufitare me anëtarin e BE-së, Slloveninë.

Është koha që shtetet të cilat kanë mosmarrëveshje të tilla vetë ta vrasin mendjen, dhe ta kuptojnë se kjo mënyrë e të menduarit do të çojë dikur në rezultate.

Mosmarrëveshjet e ngjashme e kanë vënë në pikëpyetje të gjithë procesin e zgjerimit të BE-së, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor apo për Turqinë.

Në Ballkan ka një numër vendesh shumë të vogla me një numër të vogël popullsie dhe me shumë konflikte të pazgjidhura. Për shembull konflikte kufitare, siç është rasti me Pavarësinë e Kosovës. Por së bashku ato mund të gëlltiten nga BE-ja, megjithëse edhe pse Bashkimi Evropian mendon se sjellin probleme të vështira por jo të pazgjidhshëme.

Atëherë si duket Bashkimi Evropian si ka filluar zgjidhjen!

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, pa pasur nevojë për viza qytetarët e Serbisë, Maqedonisë, dhe Malit të Zi, në bazë të rekomandimeve të miratuara nga Komisioni Evropian, do të mund të udhëtojnë në shumicën e vendeve të Evropës. Këtë masë, Komisioni e mori si një “nxitje” për Rajonin Juglindor, që është i ndjeshëm etnikisht, po të cilit i ka premtuar anëtarësim eventual në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme në BE, Jacques Barrot, para ca ditësh u deklarua se “ky është moment historik në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Nga Vendet anëtare të BE-së si dhe nga Parlamenti Evropian pritet të miratohet ky Vendim deri në fund të vitit, me arsyetim se duhet t’u jepet fund pritjeve të gjata në radhë në ambasadat perëndimore në Beograd, Shkup dhe Podgoricë, për të marrë viza.

Heqja e vizave është pritur me shpresa të mëdha në Ballkanin Perëndimor, por ky lajm i mirë për tri ish-republikat jugosllave, mund të rrisë pabarazitë e përçarjet në rajon.

Shqipëria, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, tani për tani janë lënë anash. Është shumë absurd dhe jo logjik mendimi i ca politikanëve për Republikën e Kosovës, ku është thënë se Kosova nuk i plotëson kushtet për shkak të shqetësimeve të sigurisë”, ndërsa në Këshillin e Sigurimit u vlerësua se Kosova e ka të drejtën e lëvizjes në suaza normale të qytetarëve, duke e lavdëruar Qeverinë e Kosovës dhe institucionet shtetërore për të arriturat e mëdha në këtë drejtim. Madje vlerësimet e disa diplomatëve me ndikim në KS, e vlerësuan se Pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon, ndërsa Beogradin e kanë quajtur nxitës të problemeve.

Në mbledhjen e Komisionin Evropian kur u diskutua për liberalizimin e vizave, disa diplomat të sheteve anëtare të BE-s, madje u deklaruan se, Kosova është akoma nën rezolutën 1244, dhe nuk është pjesë e dialogut aktual për liberalizimin e vizave, edhe pse një pjesë e madhe e shteteve të BE-s, e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

Shtrohen pyetjet:
1. Pasi që Serbia pranon dhe e mirëpriti liberalizimin e vizave të qytetarëve të vet pa qytetarët e Kosovës, ndoshta po përgatitet ta njohë Pavarësinë e Kosovës?
2. Si do të veprojë Serbia me qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, pasi që BE është deklaruar qartë se asnjë qytetar i cili është me vendbanim në Kosovë nuk mund ta gëzojë këtë të drejtë të lëvizjes së lirë në shtetet e BE-së?
3. Apo ndoshta Serbia po përgatitet që serbët të cilët jetojnë në Kosovë, t’i bindë që ta pranojnë realitetin e ri dhe t’i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës, apo po ju bëhet ndonjë tradhti që ta lëshojnë të gjithë Kosovën ?
4. Liberalizimi i vizave tati për tani vetëm për tri ish-shtetet jugosllave, a do ta pengojë kthimin e të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen në Kosovë në pronat e tyre?

Të gjitha këto mbesin për t’u parë në të ardhmen..!

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina nuk arritën në dhënien e pasaportave biometrike, në mënyrë që edhe këto vende t’i bashkohen “listës së bardhë Shengen”, nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Komisioni Evropian madje u deklarua se “Në qoftë se plotësohen të gjitha kushtet, mund të bëjë një propozim të ri, i cili do të përfshijë ato vende nga mesi i vitit 2010”. Bosnja dhe Hercegovina është deklaruar se pasaportat e reja biometrike do të nisin t’i lëshojnë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Së bashku me pasaportat biometrike dhe menaxhimin e kufijve, negociatat për liberalizimin e vizave në Komisionin Evropian janë përqendruan edhe në respektimin për të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Serbia dhe Mali i Zi u sugjeruan që duhet t’i plotësojnë edhe disa kushte në muajt e ardhshëm...!

Diplomatët Evropianë janë deklaruar se skema për liberalizim ka mbështetje të gjerë në mesin e 27 anëtarëve të BE-së, edhe pse në Zonën Shengen përfshihen 22 vende të BE , të cilat formalisht pritet ta miratojnë marrëveshjen në muajin tetor, me gjithë rezervat fillestare që ka Holanda për Serbinë në lidhje me Tribunalin e Hagës dhe Greqia në lidhje me mospajtimin për emrin me Maqedoninë.

Turqia pret që të hyjë në BE si partner i barabartë, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, pasi të kenë përfunduar me sukses bisedimet e anëtarësimit, ku mendohet se Turqia është një rast i veçantë dhe në rastin e Turqisë BE ndodhet para një situate e cila dallohet në mënyrë rrënjësore nga situata e vendeve ballkanike, për shkak të numrit të madh të popullatës e cila do të kishte ndikim në vendimet e Parlamentit dhe në Këshillin Evropian, ku disa qeveri të BE-së, po përpiqen të fshihen ende pas çështjes së pa zgjidhur të Lisbonës, por nëse kjo marrëveshje hyn në fuqi edhe këto vende do të detyrohen të përballen me marrjen e një vendimi.

(Prof. As .Dr. Adem Zogjani është ekspert i auditit dhe financave)