LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet lokale, emrat e përfolur nga Lëvizja Vetëvendosje për shtatë qendrat e mëdha

Zgjedhjet lokale, emrat e përfolur nga Lëvizja Vetëvendosje për shtatë qendrat e mëdha

Në Lëvizjen Vetëvendosje tashmë është përmbyllur pranimi i kandidaturave të brendshme për kryetar të komunave.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.

Nga ky subjekt politik deri më tani janë shprehur të rezervuar sa u përket emrave të mundshëm që do të jenë kandidat për kryetar të komunave.


Mirëpo pavarësisht kësaj, kandidatë të caktuar nuk kanë nguruar të shprehin se ata do të jenë në garë për të marrë nominimin e partisë së pari.

Informacione për kandidatët e mundshëm të LVV-së kanë rrjedhur edhe nga degë të caktuara apo zyrtarë lokal të këtij subjekti.

Telegrafi iu sjellë kandidaturat e përfolura deri më tani si kandidatë të mundshëm me LVV-së në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës.

Prishtinë:

Arben Vitia dhe Liburn Aliu janë dy kandidaturat më të përfolura deri më tani.

Prizren:

Interesim edhe për një mandat ka shprehur kryetari aktual i Prizrenit Mytaher Haskuka. Gatishmërinë për t’i hyrë garës në zgjedhjet lokale të vjeshtës e kanë shprehur edhe deputetja Drita Millaku, derisa si kandidat i mundshëm i LVV-së në Prizren përflitet edhe mjeku Irfan Daullxhiu.

Pejë:

Gazmend Agusholli ka mbështetjen e degës së LVV-së, derisa ambicien për t’i hyrës garës për kryetar si kandidat i LVV-së e ka shprehur edhe gazetari nga diaspora Gëzim Mekuli.

Mitrovicë:  

Kryetari aktual Agim Bahtiri ka kohë që e ka shpallë kandidaturën, derisa në këtë garë flitet se mund të jenë Fatmir Hasani, Armend Muja, apo edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci si pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme LVV – Lista Guxo për zgjedhjet lokale.

Gjilan:

Deputetët Alban Hyseni dhe Arbëreshë Kryeziu-Hyseni si dhe nënkryetari i qendrës Nehat Osmani përfliten si emra të mundshëm për të qenë kandidat i LVV-së për kryetar të Gjilanit.

Ferizaj:

Është raportuar se Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, Valon Ramadani, i cili është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është i vetmi kandidat i cili ka deponuar në zyrat e këtij subjekti politik në Ferizaj kandidaturën e tij për të parin e qytetit.

Gjakovë:

Në Gjakovë vazhdimisht është përfolur emri i Mimoza Kusarit si kandidate e mundshme e LVV-së për kryetare të komunës. Vet Kusari është deklaruar se nuk do ta preferonte futjen e serishme në një garë të tillë, por nuk e ka mohuar as mundësinë për të qenë kandidate e LVV-së.

Kujtojmë, në zgjedhjet e fundit lokale Vetëvendosje kishte fituar në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë, derisa Shpejtim Bulliqi kishte fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor, ndërkohë subjektet politike kanë 30 ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore.

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjektet politike mund të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje nga data 17 qershor deri më 16 gusht./Telegrafi/