Zgjedhjet - llogaridhënia dhe përgjegjësia politike e lidershipit
Në këtë proces të krizës institucionale që po kalojmë, për Kosovën janë interesa vitale: ruajtja e stabilitetit të vendit, i sigurisë dhe sundimi i ligjit. Këta konsiderohen ndër faktorët më kryesorë për ta organizuar procesin zgjedhor në mënyrën më demokratike. Sidomos subjektet partiake dhe lidershipi i tyre duhet të veprojnë konform dispozitave kushtetuese, duke dhënë të parët shembullin pozitiv të zbatimit të ligjeve në fuqi, duke e realizuar në praktikë vizionin e një shteti të së drejtës me baza të forta ligjore e kushtetuese.
Për t’i dhënë fund sa më parë kësaj krize, rruga e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në këtë mënyrë do të ishte më autentik të dëgjohet zëri i qytetarit dhe të merret mandati i ri nga populli, sepse kontrata ligjore dhe programore e lidhur me votuesit në zgjedhjet e vitit 2007, me veprimet e fundit i duhet bërë vlerësimi autentik nga qytetarët.
Zhvillimet në skenën politike dhe institucionale treguan qartë se ka subjekte politike dhe liderë që janë larg kulturës politike dhe institucionale. Veprimet e fundit tregojnë se partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme ndaj Kushtetutës, ligjit dhe qytetarëve që i votojnë. Menaxhimi politik dhe i të bërit politikë përgjegjëse institucionale duhet të jetë primare për subjektet politike. Problemet brendapartiake janë shndërruar në gjenerues problemesh institucionale, sepse e kanë humbur ose, ndoshta, nuk e kanë pasur vullnetin politik për t’i vënë interesat e vendit para interesave partiake dhe individuale.
Ajo që është bërë shumë më alarmante dhe determinuese më e theksuar e kësaj krize institucionale, veçanërisht së fundi, është mungesa e integritetit te njerëzit që marrin pjesë në organet drejtuese të partive, të cilët prej vitesh nuk e kanë ose, ndoshta, nuk e kanë pasur kurrë guximin e nevojshëm për mbrojtjen e interesave të qytetarëve para interesave individuale apo klanore. Kjo mungesë guximi dhe integriteti tek drejtuesit partiakë, që në fakt është edhe baza që përcakton vullnetin politik të vet partitë, si një determinant i padukshëm, ka kohë që ka prekur apo infektuar politikën institucionale.
Në këtë mënyrë, problemi i sotëm në Kosovë është mungesa e llogaridhënies dhe përgjegjësisë politike. Partitë janë pjesë e këtij problemi për shkak të mosdemokratizimit të tyre. E kanë humbur demokracinë brenda saj duke zëvendësuar, me kultin e individit, autoritarizmin. Marrëdhëniet parti politike, drejtues të saj dhe institucione shtetërore, që ndërtohen mbi baza të respektimit të Kushtetutës dhe ligjit, sot janë zëvendësuar me interesa direkte individuale dhe grupore, të adresuara mbi bazë të metodave apo mekanizmave që vetëm demokratike nuk janë. Mungesa e llogaridhënies për mosrespektimin e rregullave demokratike, të Kushtetutës, ligjeve, pra roli i munguar i vlerave i kthyer për liderë në formë ekzistence, ka krijuar krizë institucionale dhe pasqyrë të keqe për vendin që, në fakt, është karakteristikë dhe mënyrë jodemokratike.
Në histori nuk janë të pakta rastet që liderë kur kanë probleme me ligjin, përdorin edhe metoda jodemokratike për ta ruajtur pushtetin, sepse duke ruajtur pushtetin, privilegjet dhe imunitetin, nuk jepen përgjegjësi dhe llogaridhënie. Kjo ndodh në kushtet kur ka mungesë të demokratizimit të shoqërisë dhe defekteve institucionale. Respektimi dhe zbatimi i ligjit është kulturë shtetërore e qytetare. Lidhet me emancipimin e politikës dhe shoqërisë. Madje, respektimi i ligjit është i detyrueshëm për të gjithë, si për qytetarët, institucionet politike dhe jopolitike, bartës e lidershipin e shtetit. Këto subjekte të lartcekura duhet të jenë shembuj, sepse indiferentizmi a mospërfillja e tyre ndaj ligjit dhe Kushtetutës inkurajon cenimin e tij.
Atëherë kur shkelet ligji është e rëndësishme jo vetëm masa e ndëshkimit por, mbi të gjitha, bindja dhe ngulitja tek secili individ të konceptit se pas shkeljes së ligjit ndëshkimi do të jetë i pashmangshëm. Kështu veprohet në shoqëritë e zhvilluara, veçanërisht në shtetet demokratike. Çdo qytetar është aktiv në mbrojtje dhe zbatim të ligjit, duke denoncuar në mënyrë të ndërgjegjshme veprimet e jashtëligjshme që ndodhin dhe duke i penalizuar me votën e tyre subjektet dhe liderët për moszbatim të premtimit, të shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës. Prandaj, qytetarët me votën e tyre në zgjedhje të jashtëzakonshme do të kërkojnë llogaridhënie dhe përgjegjësi politike te lidershipi, në fund ta japin vlerësimin dhe besimin për subjektet dhe liderët për t’i drejtuar institucionet dhe shtetin.




















































