Zgjedhje për zgjidhje
Për shumicën e qytetarëve të Kosovës zgjedhjet nuk janë konsideruar si mundësi për ndryshime rrënjësore, por si një instrument që e legjitimon dhe e vazhdon padrejtësinë. Perceptimi negativ i qytetarëve për zgjedhjet nënkupton mungesën e besimit në institucione, parti politike dhe liderë që i udhëheqin ato. Partitë politike konsiderohen si lëndë e parë jodemokratike, që po sa të futen në zgjedhje, nga to dalin institucione jodemokratike. Prandaj, karakteristikë e zgjedhjeve të mbajtura deri me tani ka qenë pjesëmarrja aq e ulët e qytetarëve deri në atë nivel sa që qeveritë ishin jolegjitime. Vendimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, ka bërë që qytetarët t’i shohin zgjedhjet e ardhshme parlamentare si shans historik për ndryshime thelbësore. Ky besim i qytetarëve se zgjedhjet do të sjellin ndryshime pozitive në jetën e tyre do të reflektohet në përqindjen e qytetarëve që do të marrin pjesë në zgjedhje, gjë që s’e kemi parë deri me sot.
Zgjedhjet e ardhshme po e gjejnë Kosovën pa sovranitet, pa ekonomi dhe pa ushtri. Kur një vendi i mungojnë këto atribute qenësore, qytetarët e tij janë pa dinjitet, të varfër dhe të pasigurt. Të gjitha qeveritë që kanë dalë nga zgjedhjet në Kosovën e pasluftës, nuk kanë prodhuar mirëqenë sociale për qytetarët, por pasuri për qeveritarët. Në çdo mandat qeverisës jeta e qytetarëve është bërë me e varfër, ndërsa ajo e politikanëve me e pasur. Qytetarët e Kosovës janë të lodhur me varfërinë dhe papunësinë në shkallë alarmuese. Mungesa e një strategjie të qëndrueshme zhvillimore të politikave gjithëpërfshirëse sociale i ka sjellë qytetarët në prag të dëshpërimit të përgjithshëm. Sipas statistikave zyrtare, norma e papunësisë në Kosovë ka arritur në 48%. Si pasojë e kësaj, varfëria mbetet e përhapur në 45% popullsisë, ndërsa 17% janë në varfëri ekstreme. Çdo i 12 kosovar zgjohet i uritur dhe bie në gjumë i uritur, thënë ndryshe, afër 400,000 kosovarë përballen me mungesën e kafshatës së gojës.
Kosova aktualisht është në fushatë elektorale edhe pse nuk dihet se a do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme. Në këtë fushatë partitë politike po bëjnë premtime që i kanë bërë në çdo palë zgjedhje. Bërja e Kosovës shtet normal, zhvillimi ekonomik, shteti i së drejtës dhe integrimet euroatlantike, janë edhe në këto zgjedhje premtimet kryesore. Politikanët po i përsërisin premtimet, meqë nuk i kanë realizuar ato në mandatet qeverisëse. Kur premtimi përsëritet nuk është asgjë tjetër veçse mashtrim. Zgjedhjet që janë mbajtur deri më tani nuk kanë qenë demokratike e të ndershme siç thuhet. Çdo proces zgjedhor është karakterizuar me shumë parregullsi të mëdha dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë evidentuar dhe proceduar në organet përkatëse.
Të gjithë qytetarët e dinë se pas mbylljes së vendvotimeve pas ardhjes të territ, këto qendra shndërrohen në pazare zgjedhore, ku anëtarët e partive politike hedhin vota në kutitë e votimit më shumë sesa që qytetarët kanë hedhur tërë ditën. Veç kësaj, ka qytetarë që nuk kanë mundur të votojnë sepse votën në vend të tyre e kanë hedhur anëtarët e qendrës përkatëse. Të gjitha këto parregullsi mund të paraqiten edhe në zgjedhjet që po hyjmë. Sigurisht që përfituesit e këtyre manipulimeve dhe parregullsive do të jenë partitë politike. Këto parti politike duan pushtet të përjetshëm, ndërsa mënyra se si e marrin apo e ruajnë atë, s’ka fare rëndësi për to.
Zgjedhjet parlamentare nuk do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm, siç parashihet në Kushtetutë, sepse partitë politike, duke e parë që janë duke e humbur çdo ditë e më shumë besimin e qytetarëve, qëllimisht e futën vendin në krizë politike dhe institucionale. Partitë politike duan zgjedhje para negociatave politike me Serbinë. Po t’i përfundonin negociatat me Serbinë para zgjedhjeve, edhe ai pak besim që kanë nga qytetarët do të rrënohej. Dorëheqja e presidentit Fatmir Sejdiut pas shkeljes se Kushtetutës që i kishte bërë, hapi rrugën që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas konsultimeve që kishte bërë Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, me partitë politike, shpalli 13 shkurtin të vitit të ardhshëm si datë e zgjedhjeve. Vetëm një ditë me vonë LDK-ja vendosi që të dalë nga koalicioni, vendim i cili me gjasë do ta çojë Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të gjitha këto lojëra politike nga partnerët e koalicionit nuk po bëhen për hir të interesit kombëtar, por për interesa të ngushta dhe klanore. Negociatat politike me Serbinë, finalizimi i decentralizimit dhe privatizimi neoliberal janë tri projektet të partive politike për të ardhmen e vendit. Gjithsesi Kosova me këto projekte do të dëmtohet shumë. Mbështetja gjithëpopullore për VETËVENDOSJE!-n në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është fundi i të gjitha projekteve antikombëtare dhe antiqytetare. Dhe fillimi i projekteve që mundësojnë një jetë ashtu siç duan dhe meritojnë qytetarët e Kosovës.




















































