LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhje pa zgjidhje

Zgjedhje pa zgjidhje

Ishte një periudhë e mërzitshme, kjo e sapokaluara e legjislativit të fundit, për banorët e varfër të një vendi të vogël si Kosova. Madje, nga "xhurulldia" e krijuar mbi zgjedhjet edhe festat e pranverës, për dallim nga vitet e mëparshme, sikur kaluan pandjeshëm kësaj radhe.

Nga viti në vit vërehet qartë se në fytyrat e shqiptarëve çdo ditë e më tepër rrallohet gëzimi dhe buzëqeshja, në vendin më të izoluar të Evropës së lirë e të begatë, në të cilin ende fitimi nuk bëhet sipas ligjit dhe drejtësia.


Sado që për fushatën thuhet se do të jetë vetëm 10 ditëshe dhe nga disa konsiderohet si tepër e shkurtër, përkundrazi mendoj se ajo është tejet e gjatë, e mërzitshme dhe plotë bezdi, ngase partitë që pretendojnë pushtetin janë aq të shterura, me qeverisjet e tyre të dështuara, sa që nuk kanë më asgjë për të treguar e aq më pak për të premtuar dhe ofruar për katër vitet e ardhshme.

Janë të njëjtit njerëz paragjykues të cilët me dëshirë mashtruan gjatë gjithë kohës dhe çdo herë na kujtohen si një libër i keq në kohë të rënduara dimri që zgjatë.

Institucionet shtetërore në Kosovë bënë vjedhjet më të mëdha, zhvatje dhe korrupsion të paparë.

Ky shtet sikur u krijua për të pasuruar individët e politikës dhe goditur e anatemuar ata që marrin guximin të kritikojnë parregullsitë nga të cilat më së shumti vuajnë shqiptarët e varfër dhe të pa faj.

Për fat të keq, këtu nuk ka më kush t’i luftojë padrejtësitë, informalitetin dhe hajninë, ndaj kjo gjendje ka quar deri aty sa që askujt "nuk" i intereson vjedhja e shtetit dhe varfërimi i banorëve të tij.

Kështu që, pas 15 vitesh lirie, Kosova është kthyer në një vend të pa shpresë, pa dinjitet dhe ardhmëri, ku ligjin e bëjnë milionerët , por dënohen e përndiqen xheparoshët e thjeshtë për disa qindra euro.

Kjo frikëson shqiptarët të cilët kërkojnë të migrojnë dhe ikin sa më parë nga ky vend. Askush më nuk dëshiron të qëndrojë në Kosovë.

Mjerisht, fakt është se ne kishim dhe kemi edhe një opozitë mos vepruese e totalisht të paralizuar, e cila u tregua jashtëzakonisht e dobët dhe jofunksionale gjatë gjithë kohës. Ajo, edhe pse vendi ishte pllakosur nga papunësia dhe mjerimi ekonomik, nuk qe në gjendje asnjëherë ta ngritë sensibilitetin e këtij populli dhe të mobilizojë atë për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të tij, qoftë edhe me një protestë të vetme paqësore që do ta kundërshtonte gjendjen e krijuar me korrupsion dhe amulli.

Pra, edhe nëse opozita i fiton zgjedhjet, ç’ndikim mund të ketë ardhja e saj në pushtet për të ecur vendi përpara, kur përkundër gjithë fatkeqësive që përjetoi populli shqiptar, ajo nuk qe e zonja të organizojë as një grevë të vetme apo demonstratë mospajtimi,?!

Imagjinata e prapambetur dhe paragjykuese që mbizotëron te partitë e pareformuara shqiptare, nuk ka mundësi ende t’i joshë njerëzit, njëjtë si premtimet boshe të tyre të cilat nuk kanë më fuqi ta bindin askënd dhe për asgjë.

Ndaj, nëse një ditë vërtetë ndodhë liberalizimi i vizave, të gjithë do të ikin për ta lënë këtë vend në duart e pasanikëve të ngritur brenda nate, të cilët për vete ndërtojnë pallate milionëshe, por ndjekin e shantazhojnë kundërshtarët politikë për disa qindra-euro të cilat ende nuk janë vërtetuar si abuzime.

Mjerisht, shumica e partive i ngjajnë njëra tjetrës. Vendi ku për disa herë u mbajtën zgjedhje, por asnjëherë nuk u gjet zgjidhje për problemet e vërteta të shqiptarëve, mjerisht pritet të ndodhë edhe kësaj vere.