LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhja e të majtës

Zgjedhja e të majtës

Përfituesit kryesorë politikë të fraksioneve sociale dhe ekonomike të lindura nga globalizimi dhe ndryshimet teknologjike, është e drejtë të thuhet, deri më tani, kanë qenë populistët e krahut të djathtë. Politikanët si Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, Viktor Orbán në Hungari dhe Jair Bolsonaro në Brazil janë ngjitur në pushtet duke përfituar nga rritja e animusit kundër elitave politike dhe duke shfrytëzuar ndjenjën latente të nativizmit.

Grupet e majta dhe progresive nuk kanë vepruar. Dobësia e të majtës pasqyron pjesërisht rënien e sindikatave dhe grupeve të organizuara të punës, të cilat kanë formuar historikisht shtyllën e lëvizjeve të majta dhe socialiste. Por abdikimi ideologjik ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Ndërsa partitë e të majtës u bënë më të varura nga elitat e arsimuara në vend të klasës punëtore, idetë e tyre të politikave qenë më në përputhje me interesat financiare dhe të korporatave.


Mjetet e ofruara nga partitë kryesore të majta mbetën të kufizuara: më shumë shpenzime për arsimin, Politika të përmirësuara të mirëqenies sociale, pak më shumë progresivitet në taksa dhe shumë pak gjëra të tjera. Programi i të majtës kishte të bënte më shumë me përfshirjen e sistemit mbizotërues sesa adresimit të burimeve themelore të pabarazive ekonomike, sociale dhe politike.

Tani sa vjen e po pranohet gjithnjë e më shumë se politikat e taksave dhe transferimit mund të arrinin vetëm deri në këtë pikë. Për aq kohë sa ka shumë hapësirë për të përmirësuar sigurimet shoqërore dhe regjimet e taksave, sidomos në SHBA, nevojiten reforma më të thella për të ndihmuar në krijimin e niveleve të lojërave në favor të punëtorëve dhe familjeve të zakonshme në një gamë të gjerë fushash. Kjo do të thotë të përqendrohesh në tregjet e produktit, punës dhe ato financiare, në politikat e teknologjisë dhe në rregullat e lojës politike.

Mirëqenia gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet thjesht duke rishpërndarë të ardhurat nga të pasurit tek të varfrit, ose nga pjesët më produktive të ekonomisë në sektorët më pak produktivë. Ajo ka nevojë që punëtorët me më pak kualifikime, firma më të vogla dhe rajonet e mbetura të integrohen më plotësisht me pjesët më të avancuara të ekonomisë.

Me fjalë të tjera, ne duhet të fillojmë me ri-integrimin produktiv të ekonomisë së vendit. Firmat e mëdha dhe produktive luajnë një rol kritik këtu. Ato duhet të pranojnë se suksesi i tyre varet nga mallrat publike që furnizojnë qeveritë e tyre kombëtare dhe nën-kombëtare – çdo gjë nga rendi dhe rregullat e pronësisë intelektuale deri te infrastruktura dhe investime publike në shkathtësi, hulumtim dhe zhvillim. Në këmbim, ata duhet të investojnë në komunitetet e tyre lokale, furnitorët dhe në fuqinë punëtore – jo si përgjegjësi sociale korporative, por si një aktivitet kryesor.

Në një kohë më të hershme, qeveritë angazhoheshin në aktivitetet bujqësore për zgjerimin e teknikave të reja për fermerët e vegjël. Sot ka një rol të ngjashëm për atë që Timothy Bartik i W.E. Upjohn Institute for Employment Research i quan “shërbime për zgjerimin e prodhimit”, edhe pse idetë zbatohen edhe për shërbimet prodhuese. Qeveritë që bashkëpunojnë me bizneset për të inkurajuar shpërndarjen e teknologjive kufitare dhe teknikat e menaxhimit në pjesën tjetër të ekonomisë, mund të përfitojnë nga një repertor i mirëfilltë nismash të tilla.

Një fushë e dytë e veprimeve publike ka të bëjë me drejtimin e ndryshimeve teknologjike. Teknologjitë e reja siç janë automatizimi dhe inteligjenca artificiale (AI) kanë qenë zakonisht zëvendësuese të punës, duke ndikuar negativisht sidomos te punëtorët me aftësi të ulëta. Por kjo nuk duhet të ndodhë në të ardhmen. Në vend të politikave (siç janë subvencionet e kapitalit) që pa dashje promovojnë teknologjitë zëvendësuese të punës, qeveritë mund të promovojnë teknologji që rrisin mundësitë e tregut të punës për punëtorët më pak të kualifikuar.

Ekonomisti i ndjerë Tony Atkinson në librin e tij Inequality, vuri në pikëpyetje urtësinë e qeverive që mbështesin zhvillimin e automjeteve autonome, pa marrë parasysh efektet tek shoferët e taksive dhe kamionëve. Kohët e fundit, ekonomistët Daron Acemoğlu, Anton Korinek dhe Pascual Restrepo kanë shkruar se si inteligjenca artificiale mund të shfrytëzohet të mënyra të reja për të rritur kërkesën e punës, për shembull, duke u lejuar punëtorëve të zakonshëm të angazhohen në aktivitete që më parë ishin të papërshtatshme për ta. Por lëvizja në këtë drejtim do të kërkojë një përpjekje të vetëdijshme nga qeveritë për të rishikuar politikat e tyre të inovacionit dhe për të vënë në vend nxitjet përkatëse të sektorit privat.

Edhe tregjet e punës kanë nevojë për riekuilibrim. Dobësimi i sindikatave dhe mbrojtja për punëtorët ka zhdukur burimet tradicionale të fuqisë kundërvepruese. Hulumtimet e fundit kanë treguar se firmat mbajnë një sistem negociues mbi punonjësit, duke ulur pagat dhe kushtet e punës. Rrëzimi i këtyre trendëve do të kërkojë një sërë politikash pro-punësimi, duke përfshirë promovimin e sindikalizimit, paga minimale më të larta dhe standarde rregullatorë adekuate për punëtorët në ekonominë e mbështetur nga puna me mëditje.

Financa është një tjetër fushë që kërkon një operacion të rëndësishëm. Sektorët financiarë të ekonomive më të avancuara mbeten të fryrë. Ata paraqesin rreziqe të vazhdueshme për stabilitetin ekonomik pa ofruar përfitime kompensuese në drejtim të rritjes së investimeve në aktivitete prodhuese. Siç ka argumentuar prej kohësh Anat Admati i Stanford dhe të tjerë, bankat kërkojnë, më e pakta, kërkesa për kapital më të lartë dhe kontroll më të rreptë rregullator. Fakti që institucionet financiare kanë shpëtuar relativisht të padëmtuar nga kriza e viteve 2008-2009 flet shumë për fuqinë e tyre politike.

Siç sugjerojnë dështimet e rregullimit financiar, aq të rëndësishme sa janë reforma të tilla ekonomike, ato duhet të plotësohen me masa që korrigjojnë asimetrinë e qasjes politike. Në SHBA, mbajtja e zgjedhjeve në ditë pune, sesa në fundjavë dhe gjatë pushimeve – së bashku me rregulla strikte regjistrimi, manipulimi dhe një sërë rregullash të tjera zgjedhore – i vendos punëtorët e zakonshëm në një disavantazh të rëndësishëm. Kjo është në krye të rregullave të financimit të fushatës që kanë mundësuar korporatat dhe anëtarët më të pasur të shoqërisë që të ushtrojnë ndikim shumë të madh në legjislacion.

Partia Demokratike do të përballet me një provë kritike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së, të cilat do të mbahen pas më pak se dy vjetësh. Ndërkohë, ajo duhet të bëjë një zgjedhje. A do të mbetet ajo thjesht partia që ëmbëlson një sistem të padrejtë ekonomik? Apo ajo ka guximin për të trajtuar pabarazinë e padrejtë duke e sulmuar atë që në rrënjë? /Project Syndicate/BIRN/