Zeniti kërkon kthimin e parave pasi Nico Williams nënshkroi kontratë të re me Athletic Bilbaon

Zenit Saint Petersburg është përfshirë në një episod komik futbolli, pasi kërkoi publikisht kthimin e parave që kishte "dhuruar" për transferimin e Nico Williams te Barcelona – një transferim që nuk ndodhi.
Williams, anësori 22-vjeçar i Athletic Bilbaos dhe Spanjës, nënshkroi së fundmi një zgjatje tetëvjeçare kontrate me klubin bask, me një klauzolë lirimi prej 90 milionë eurosh.
Barcelona kishte arritur marrëveshje personale me lojtarin dhe ishte në garë për ta transferuar këtë verë.
Në mënyrë të papritur, Zenit publikoi një video në TikTok muajin e kaluar ku deklaronte se po ndihmonte Barcelonën financiarisht për të realizuar transferimin: “Për Nico Williams nga Zenit”.
Më vonë, në një postim në X (ish-Twitter), klubi rus shkroi me humor: "A mund të na kthehen paratë tona?".
Williams, i cili zgjodhi të qëndrojë pranë vëllait të tij Inaki në Bilbao, tha pas rinovimit: “Jam aty ku dua të jem, me njerëzit e mi. Kjo është shtëpia ime.”
Athletic Bilbao e cilësoi marrëveshjen si një moment historik për klubin, duke e përfshirë në një listë rinovimesh të rëndësishme që synojnë të ndërtojnë një të ardhme ambicioze në klubin legjendar bask. /Telegrafi/



















































