Zemra e Ozzy Osbourne kontrollohej 15 herë në ditë para koncertit të tij të fundit

Zemra e Ozzy Osbourne kontrollohej 15 herë në ditë në periudhën para koncertit të tij të fundit, vetëm pak javë para vdekjes.
Shkaku i vdekjes së Ozzyt nuk është konfirmuar, megjithëse besohet se ka pasur shqetësime për shëndetin e tij në muajt e fundit, përfshirë një problem me zemrën.
Këngëtari tregoi se si po stërvitej për t'u rikthyer në formë të mjaftueshme për të performuar në koncertin e tij "Back To The Beginning".

Megjithatë, për t'u siguruar që asgjë nuk shkonte keq, ai mbante veshur edhe një pajisje që i matte rregullisht rrahjet e zemrës dhe kontrollonte që të mos e tepronte.
Duke folur në emisionin e tij Sirius XM në fund të majit, Ozzy tha: "Unë stërvitem shtatë ditë në javë. Më parë më duhej të merrja një grusht pilula gjumi të mallkuara. Tani nuk marr asgjë. Më matin tensionin e gjakut 15 herë në ditë. Kam këtë pajisje të mallkuar në gisht. Është një monitor që më mat pulsin", tha ai.
Në të njëjtën intervistë, bëri shaka se mund të mos ia dilte dot në parajsë: "Po e përballoj ditë për ditë. Pyete atë atje lart. Në rastin tim, atë atje poshtë".
Ozzy i bëri një dedikim edhe gruas së tij, Sharon, e cila krijoi konceptin e lamtumirës për koncertin e tij të fundit, i cili rezultoi të ishte performanca e fundit dhe paraqitja e tij e fundit e madhe në publik.
Fatkeqësisht, ndërroi jetë më pak se tre javë pas koncertit "Back To The Beginning". /Telegrafi/




























































