“Zbulimet kombëtare arkeologjike - Ulpiana 2023” në pulla postare
Filatelia e Postës së Kosovës PK Sh.A., më 9 maj 2025 vë në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare nga tema Evropa të titulluar “Zbulimet kombëtare arkeologjike - Ulpiana 2023”.
Ky emision i pullave postare prezanton një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në Kosovë, në parkun arkeologjik të Ulpianës.
“Motivet e pullave postare mbartin imazhe kushtuar themelimit të Iustiniana secunda (Justinianës së dytë), e përshkruar si një urbs Dardaniae nga perandori Justinian dhe gruaja e tij Theodora (535-545 AD), si dhe të zogut houbara bustard (outis), një zog shtegtar, në dyshemenë mozaik të bazilikës episkopale të Iustiniana secunda (535-545 AD), zbuluar nga A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha.
Ndërkaq, blloku filatelik paraqet ‘Representation of a houbara bustard (outis), a migratory bird’, pranë një shatërvani në dyshemenë mozaik të bazilikës episkopale të Iustiniana secunda (535-545 AD), zbuluar nga A. Hajdari, C.J. Goddard dhe M. Berisha”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se realizimi i emisionit të pullave postare është mundësuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq pamjet e këtij emisioni janë siguruar nga vet zbuluesit, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Institutin Arkeologjik të Kosovës, Universitetin e Prishtinës dhe ENS.
Emisioni i pullave postare përbëhet nga dy pulla postare, blloku filatelik dhe Zarfi i Ditës së Parë (ZDP), ndërkaq në qarkullim postar do të jetë deri në konsumimin e saj të plotë. /Telegrafi/

































