Zbatimi i ligjeve duhet të bëhet ne tërë territorin e Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mandatin të zbatojë fuqinë e ligjit në tërë territorin e shtetit përmes policisë si organ dhe mekanizëm praktik, e jo të presim që interesat tona dhe ligjet tona të na i zbatojë EULEX-i një mision i cili ka mandat këshillimi dhe ndihme teknike, sepse tani ne kemi shtetin, Kushtetutën dhe ligjet tona
Këtë shkrim po e filloj me një shprehje të ish-presidentit amerikan Abraham Loncoln që i është drejtuar sekretarit të vetë, ku i thotë: “Politika ime është mos me pasë politikë”. Në këtë logjikë mendojë që qeveria nuk duhet të ketë “politikë”, sa i përket zbatimit të ligjit edhe në anën veriore të Mitrovicës dhe sa më shpejtë që të jetë e mundshme duhet të shtrihet fuqia e zbatimit të ligjit, sepse më nuk duhet pasur asnjë justifikim në ditët në vijim në rast se eventualisht do të ketë prishje të rendit dhe mos bindje ndaj ligjit.
Qeveria si pushtet ekzekutiv i shtetit duhet të veprojë mbi bazën e ligjit, por me sa më pak “politikë” në çështjet ku duhet të zbatohet ligji, sepse tanimë kërkesë bashkëkohore e zhvillimit dhe ndërtimit të demokracisë dhe forcimit të shtetit ligjor është zbatimi i ligjit, por jo të përzihet “politika ditore” në këto çështje. Organizimi i shtetit bëhet në bazë të ligjeve, ku dhe ndahen detyrat brenda organeve shtetërore, por kurrsesi mbi bërjen e politikës, sepse po që se shtetin e organizojmë mbi bazën e të bërit politikë çfarë e kishim në kohën e kuazi institucioneve (IPVQ-ve), atëherë del që zbatimi i ligjeve lihet në plan të dytë dhe kështu shndërrohet në një praktikë të institucioneve të cilat do t’i bëjnë politikë njëra tjetrës.
Në shoqërinë tonë është instaluar një “virus” të cilin kurrsesi nuk po mund ta deinstalojmë, bëhet një lloj politike, ku tanimë është bërë edhe praktikë ditore që çdo gjë lidhet me “integrime euroatlantike”, por zbatimi i ligjeve në tërë territorin e shtetit nuk ka fare të bëjë me diçka që mund të prish ndonjë raport sa i përket rrugës për integrime euroatlantike, politika nuk bëhet për hatër, por politika bëhet për të realizuar interesat publike, ku në rend të parë duhet pasur interesat e shtetit tonë, tani të Evropës, sepse ne nuk mund të sillemi në stilin më evropian sesa anglezët, francezët, gjermanët, etj.
Tanimë është koha e këndelljes nga “politika e turbullt” që është duke u turbulluar që prej vitit 1999, dhe të bëjmë një politikë të qartë, nëse është nevoja edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, në këtë rast ndaj EULEX-it, por jo në stilin e “politikës”, ata të bëjnë politikë, institucionet tona ta miratojnë atë politikë, por institucionet tona duhet ta trajtojnë këtë mision ashtu çfarë e ka statusin-mandatin dhe t’i bëjnë politikë për interesa të shtetit tonë.
Nëse institucionet tona lejojnë që kushdo tjetër të përzihet në zbatimin e ligjeve tona, përpos qeverisë, atëherë do të kemi shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të cilat i ka nxjerrë dhe do t’i nxjerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ligjet të cilat i nxjerrë Kuvendi, kompetente për t’i zbatuar është vetëm qeveria e Republikë së Kosovës dhe asnjë organ apo mekanizëm tjetër (ndërkombëtarë), sepse në sistemin tonë parlamentarë të qeverisjes qeveria e ka mandatin e plotë nga Kuvendi për një gjë të tillë, po ashtu edhe llogaridhënia e qeverisë për mënyrat e zbatimit të ligjeve duhet të jepet në Kuvend.
Ne kishim një përvojë jo të mirë me misionin e UNMIK-ut i cili veproi në territorin tonë dhe dështoi në vënien e rregullit dhe rendit në veri, ku dhe ende tani vepron në disa raste në veri, nuk duhet tani të provohemi edhe një herë, tanimë jemi shtet dhe kemi të gjitha kompetencat në duar, nuk kemi nevojë të frikohemi aty ku është e interesit të qytetarëve dhe shtetit tonë duhet vepruar duke e zbatuar vetëm ligjin.
Një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e ligjit në një shtet e luan policia si organ i cili e përdorë dhunën juridike përmes autorizimeve ligjore që burojnë nga Kushtetuta dhe ligji, për ta vënë në funksion gjendjen aty ku nuk benë punë bindja ndaj ligjit dhe politikës, në këtë drejtim shtrohet pyetja a po e bënë një gjë të tillë Policia e Kosovës në veri, kjo është shumë diskutabile për shumë arsye. S’pari këtë çështje do ta kisha ndërlidhur me një pyetje të filozofit të shquar Aristotel, ku pyet: “quis costodiet ipsos custodies”? – “Kush do t’i ruaj rojtarët”?. Sipas kësaj logjike rojtarë të rojtarëve duhet të jetë qeveria, por jo në stilin e ndërhyrjes politike, se po i prishim marrëdhëniet me EULEX-in, por duhet të jetë rojtarë i rojtarëve të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit në praktikë dhe të jap ndihmë mbi bazën e ligjit. Kështu punohet dhe veprohet edhe në shtetet prej nga vijnë ata pjesëtarë të EULEX-it.
Shoqëria jonë ka nevojë për zbatim të përpiktë të ligjit, ofrim të sigurisë individuale dhe kolektive mbi bazën e ligjit, kurrsesi nuk ka nevojë t’i bëhet politikë, por duhet vepruar konkretisht, prishsit e rendit publikë dhe shkelësit e ligjit duhet ndëshkuar në bazë të ligjit, sidomos ata te Kroi i Vitakut që po pengojnë zhvillimin e jetës dhe zbatimin e ligjit e pushtetit duke gjuajtur me gur popullin dhe shtetin, duhet eliminuar praktikën e deritashme, nëse 7 apo 8 qytetarë të pakicës serbe gjuajnë me 2 a 3 gurë popullin shumicë dhe shtetin, t’i thuhet EULEX-it ikni ju se tash menjëherë vijmë edhe ne, e mos t’ua prishim qefin këtyre 7 a 8 serbëve se po fol bashkësi ndërkombëtare.
Organet tona duhet të dëshmojnë dhe të tregojnë se shteti është organizatë që mbi bazën e ligjit përdorë edhe dhunën dhe forcën dhe këto i mbështet vetëm në ligje dhe nuk duhet të frikohet nga askush, aty ku nuk zbatohet ligji vullnetarisht, duhet që vullneti të imponohet nga shteti përmes policisë ne bazë të ligjit. Me shtet nuk ka hajgare, por as ta që punojnë në shtet nuk duhet të bëjnë hajgare, por duhet të jenë shumë serioz…
(Autori është asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe bashkëthemelues i OJQ “Lobimi për ligjin dhe demokracinë”)



































