Zannier njofton Qeverinë për takimin me Jeremiqin

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, i cili tha se, “është një çështje e cila ka mbetur për t’u shqyrtuar, por sipas të gjitha gjasave do të jenë disa aktorë të ndryshëm ndërkombëtar sepse përgjegjësitë ne çështjet si policia, drejtësia dhe dogana tanimë u janë bartur EULEX-it dhe nuk janë më përgjegjësi e UNMIK-ut".
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është kthyer të premtën nga New Yorku ku, ndër të tjera, kishte zhvilluar një takim me ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremiq. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Ivanko tha se "gjëja e parë që ambasadori Zannier planifikon të bëjë është të njoftojë qeverinë këtu për takimin që ka mbajtur me Jeremiqin”.
“Natyrisht se çdo lloj diskutimesh përfshijnë disa palë dhe jo vetëm një. Pra, do të jenë disa vendimmarrës ndërkombëtar dhe natyrisht se edhe Prishtina edhe Beogradi duhet të pajtohen me çfarëdolloj diskutimesh", tha Ivanko.
Prishtina zyrtare, ndërkohë, vazhdon të refuzojë planin 6 pikësh t OKB-së si dhe bisedimet teknike me shtetin serb duke këmbëngulur në qëndrimin se me Serbinë mund të bisedohet vetëm për çështje që janë në interes të dy shteteve fqinjë. /Telegrafi/







































