LAJMI I FUNDIT:

Zake Prelvukaj – revolucionarja e pikturës!

Zake Prelvukaj – revolucionarja e pikturës!

Piktorja Zake Prelvukaj, pa dyshim mund të konsiderohet si femra, e cila i theu të gjitha tabutë në artin pamor, duke u cilësuar si një revolucionare e shablloneve e stereotipive në artin kontemporan në Kosovë, por edhe më larg. Ajo, është piktore me shpirt dhe me zemër, prandaj pikturat e saja, në njëfarë mënyre janë edhe revoltë për shumëçka dhe si të tilla përmbajnë mesazhin e qartë dhe nivelin e lartë.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Zakja, qëmoti ka dëshmuar se pikturën e ka profesion dhe pasion, prandaj për asnjë çast nuk i ndahet asaj dhe kërkimit të temave, të ashtuquajtura të nxehta. Me guxim dhe ide, ajo në artin tonë ka sjell një qasje dhe frymë të re.

Por, çka ka të re në punë dhe planet e saj, do të mësoni në intervistën, të cilën e zhvilluam, pa pretendimin se do t’i shpalosim të gjitha. Megjithatë, Zakja përherë ka për të thënë shumëçka të re, prandaj të mësojmë nga ajo për planet dhe gjithë atë që e preokupon si piktore, artiste dhe pedagoge.

Zake, të flasim pak për ditëve tuaja të para në rrugën e artit. Si lindi piktura tek ju?
Arti nuk ishte i rastësishëm te unë, u rrita në një ambient të artit n’mes vizatimeve dhe pikturave. Derisa unë ende nuk kisha filluar shkollën, vëllai im kishte mbaruar shkollën e artit në Pejë, pastaj Shkollën e Lartë, ndërsa më vonë edhe Akademinë e Arteve, drejtimin e grafikës. Kështu tërë jetën e pata fatin të ushtrohem nga një profesionalist i vërtetë.

Frymëzimet sigurisht që janë të shumëllojshme. Veçoni ndonjërën prej tyre që ka lënë edhe më shumë gjurmë në penelin tuaj?
Nuk jam ndër ata artistë që vështirë gjejnë frymëzim në rrethanat tona. Periudhat e ndryshme kohore shumë të ndërlikuara, ambientet tona, ekonomia, lufta, momentet herë dëshpëruese e ndonjëherë të lumtura, temat tabu, grabitjet, problemi i vizave, shoqëria e çuditshme, varfëria… e provokojnë artistin. Unë kam pasur fatin të diplomoj në vitin 1991, atëherë kur filloi tmerri në rajon, ekzistonte mundësia të shuheshe edhe si artiste. Ajo që do veçoja në ato vite ishte ekspozita X-flasin, vizatim, pikturë, intalacion. Mbas lufte ajo nuk kishte pas mundësi të realizohet, sepse motivi dhe revolta e asaj kohe e bënë të veten.

Çfarë kujtoni nga ajo kohë, leximet…muzika?
Natyrisht muzika, kam dëgjuar blues, rock, jazz. Kemi përcjell Fest-in, filmat më të suksesshëm në kin, kam lexuar romane, Paulo Coelho, Jean-Paul Sartre, etj.

Çdo të thotë për ju që nuk i jeni ndarë asnjëherë pikturës?
Piktura ose krijimtaria më thërret me disponon dhe nuk mund ta paramendoj veten pa krijuar.

Çdo artist në fillimet e tij hamendet, për vokacionin e tij krijues, mirëpo tevona dashur e padashur, sikur bën një kapërcim nga gjërat tabu tek realiteti i prekshëm. Por, si duket ju keni mbetur origjinale që nga hapi i parë?
Ndonjëherë të shkon mendja çdo kund, të vjen një frymëzim, nëse nuk e kap për momentit, të ik duke u kthyer i zbehur ose nuk kthehet kurrë më. Janë tema që ndoshta nuk pritesh mirë ose humbë shumë në opinion ose e kundërta e saj. Unë nuk jam frikësuar, më ka shpëtuar guximi. Mendoj që në shumicën e rasteve, më është shpërblyer ky guxim.

Megjithatë, konceptin e keni avancuar dhe keni depërtuar edhe në teknika të ndryshme ku suksesi nuk ka munguar, madje jeni vlerësuar si piktorja përfaqësuese e gjeneratës suaj?
Asnjëherë nuk e kam marr artin të bëhem dikushi, e kam ndjerë dhe e kam përcjell këtë ndjenjë natyrshëm pa shfrytëzuar njeri dhe poste. Jam munduar dhe mundohem ta materializoj artin si për nga koncepti, teknika dhe mënyra shprehëse dhe se artin nuk kisha pas dëshirë ta ndajmë në gjini.

Jeni adhuruese e lojës me ngjyra?
Natyrisht, duke luajtur ndonjëherë ato zbehen, ashpërsohen, kundërshtohen njëra me tjetrën, por ndoshta edhe varfërohen për qëllimin realizues sipas konceptit.

Sa ndikon mendimi në një pikturë dhe çka synon të arrihet me të?
Duke analizuar pikturën në kohë, secila ka porosinë e vet për kohën që është krijuar, qoftë si vetëdijesim kritike, etj. Për një pikturë duhesh të mendosh, mund të ndodh ndërkohë gjatë procedurës së punës e deri në finale, konceptet dhe qëllimet mund të ndërrojnë, sepse të bëjnë të mendosh, shprehesh në konteste pozitive ndryshe, jo si është menduar më parë. Mendimi për realizimin e punës ndërlidhet me njohuritë e autorit dhe pa qenë i informuar, nuk mund ta krijosh mendim as për pikturën apo artin në përgjithësi.

Ku e gjeni frymëzimin dhe na bëhet se keni një frymëzim të pashtershëm dhe jeni në kulmin e shpërthimit tuaj emocional duke krijuar vepra të arrira jo vetëm, për sy, por edhe për ambientin dhe për vlerat e mbërthyera në të. Ndoshta nuk është fshehtësi të themi se pikturat tuaja kanë njohur një çmim shumë të lartë?
Po, e thashë edhe më herët se frymëzimi nuk më ka munguar asnjëherë. Kam punuar pandërprerë dhe puna më ka shpërblyer. Ajo më ka çmuar mua, e unë atë e kam bërë me qejf e me mund. Vlera qëndron edhe diku tjetër, se me menaxhimin e punës më duket se e kam arrit qëllimin që piktura të çmohet më shumë në vendin tonë. Sipas meje, kjo ka rëndësi të veçantë.

Keni një gamë të madhe para vetes. Dihet se çdo pikturë ka rëndësinë e vet dhe nëse mund të themi mund të krahasohet me fëmijët, që nuk bën t’i dallosh sa i përket dashurisë. Megjithatë, a mund të na veçoni ndonjë pikturë e keni përzemërt dhe e keni krijuar për shpirtin tuaj?
Pikturat, natyrisht se janë vepër e imja, sigurisht ka piktura me të cilat jam më shumë e lidhur, sepse me ndonjërën prej tyre, koncepti, teknika, është arritur 100%, ndoshta edhe më mirë seç është menduar. Çdo gjë është punuar në një moment shumë interesant me porosi interesante. Nuk do ta kisha veçuar asnjërën, sepse ka shumë prej tyre.

Ju keni hapur një numër të konsiderueshëm ekspozitash në vende të ndryshme. Si janë pritur punimet tuaja atje?
Jam pritur shumë mirë nga kritikët dhe artdashësit. Kjo më motivon për punën.

Çfarë mendoni se i bën punimet tuaja të veçanta?
Mënyra e pikturimit (realizimit) dhe koncepti. Njiheni si piktore që e para keni bërë detabuitizimin e pikturës, madje keni sjellë rrymën nudo në një mjedis tepër të veshur. Pra, keni zhveshur mjedisin dhe keni marrë guximin të përballeni me mentalitet të ndryshme. Duket se ia keni dalë mbanë? Po, kam pasur ekspozitat ‘Trupi im, brushë’ dhe ‘Sekspozita’ në Salzburg, në Mal të Zi, në Angi, në Maqedoni, Prishtinë, etj. Edhe pse në Prishtinë me Sekspozitën, jam pritur shumë mirë. Besoj se do ta organizoj një ekspo përsëri më të pasur, më të madhe me këtë motiv.

Ju cilësojnë si pedagoge të mirë në Fakultetin ku punoni, por edhe pedagoge e mirë kur punonit me piktorë amatorë?
Faleminderit. Në Fakultetin e Arteve përpiqem të jap atë çka mundem, maksimumin. Me studentët kaloj shumë mirë, mundohem të gjej mënyrën më të mirë të komunikimit që në shumë raste nuk është lehtë. Kaloj mirë me secilin që shpreh dëshirë të mësoj. Për nga natyra jam e qetë dhe kjo më ndihmon edhe më shumë.

Çfarë parapëlqen përveç artit?
Filmin, astronominë, shkrimin.

Si reagon ndaj atyre që bëhen xhelozë ndaj teje?
I injoroj. Këtë jam duke e kuptuar çdo ditë e më shumë.

Ç’është e bukura për artisten Prelvukaj dhe ku e shikon atë?
Familja, shëndeti, arritjet pa shfrytëzuar askënd. E bukur është kur të gjitha i arrin vet.

Ç’është dashuria dhe kë dashuron më shumë?
Dashuria është shumë e bukur dhe kur din ta dallon, psh, atë të nënës, burrit dhe familjes në përgjithësi. Kur të japësh dashuri gjithmonë, ke edhe për të marrë. Dashuria ka qenë dhe është gjithmonë e shenjtë.

A besoni te varianti romantik, që njeriu dashuron vetëm një herë në jetë?
Jo, nuk besoj. Njerëzit ndryshojnë.
Pikturat tuaja janë me tema gjithfare, por ruani tabanin e kombëtares dhe të njëjtën kohë bëni kapërcime shumë të mëdha duke shëtitur nëpër të gjitha teknikat e artit konteporan. A jeni ende në kërkim të vetvetes, apo mendoni se keni arritur synimin dhe tash vetëm duhet të realizoni idetë tuaja për t’i bartur në pëlhurë dhe për t’i varur në mur?
Unë mendoj se artisti një herë e kërkon pikturën, e mandej piktura na kërkon neve. Natyrisht, tani pikturoj e qetë çdo gjë është në vend të vetin, por vazhdimisht hulumtoj. Këtë e do krijimtaria, jo vetëm arti, por edhe shkenca, ligjet, etj.

Ka kohë që nuk ju kemi parë me ndonjë ekspozitë individuale. Kur do ta bëni këtë dhe ku?
Kam shumë punë që nuk është ekspozuar dhe parë në Kosovë. Ekspozitat duhet të jenë më të rralla. Ekspozitat e shpeshta, sidomos ato vetanake, mund ta dëmtojnë artistin. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Kalo në kategori