Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoni, Sasho Mijalkov, që është edhe kusheriri i kryeministrit Nikola Gruevski ka kërkuar që lideri i partisë më të madhe opozitare LSDM, Zoran Zaev të kërkojë falje publike lidhur me deklaratat e tij të fundit në një intervistë të dhënë për mediat në Shkup.

“As që mendoj apo kam qëllim që ti kërkoj falje Mijalkovit. Unë dhe LSDM kemi dyshime të bazuara për çështjet e ngritura. Reagimi i Mijalkovit flet për shkallën e kokëkrrisjes dhe arrogancës të këtij pushteti. Në vend se ai dhe kusheriri i tij Nikola Gruevski të përgjigjen për pyetjet që i adresuam tek ta, Mijalkov kërcënohet me padi dhe kërkon nga unë dhe opozita që të heqim dorë nga roli ynë bazë që kemi në këtë shoqëri”, deklaroi Zaev.


Mijalkov përmes avokatit të tij i ka dërguar një letër liderit të LSDM-së, Zaev, ku kërkohet falje lidhur me deklarimet e tij, që janë vlerësuar si shpifje dhe fyerje. Avokati është thirrur në nenin 13 të Ligjit për përgjegjësi qytetare për shpifje dhe fyerje. Zaev kërkohet që të jap deklaratë duke kërkuar falje apo duke tërhequr publikisht deklaratat e bëra.

Por, çka kishte deklaruar lideri i Lidhjes Social demokrate të Maqedonisë (LSDM) Zoran Zaev, vijon më poshtë:

“Gruevski dy kusherinjtë i ka vendosur në dy postet më të larta në shërbimin sekret dhe doganë. Kumbarët e tij më të afërt janë në drejtorinë e të ardhurave publike dhe ministrinë e financave. Ky sistem është precedentë që nuk ndodhë në shtete normale demokratike. Kam të dhëna për të gjitha veprat kriminale dhe transferet e parave. Çdo ditë do të publikojmë gjithçka për këto veprime kriminale nga ana e Gruevskit dhe familjes së tij”, deklaroi Zaev, lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në një intervistë për Novatv.

Sipas tij, po i afrohet fundi i këtij pushteti dhe se përkrahja për pushtetin aktual edhe nga anketat e fundit bëhet për shkak të frikës që mbizotëron tek qytetarët. /Telegrafi/