“Shpërthyen si fluskë sapuni shpresat e qytetarëve për anëtarësim të vendit në familjen evropiane. Falë këtij koncepti të kryeministrit, autoritetet evropiane nuk denjojnë as të përmendin emrin e vendit tonë. Nga liderë të Ballkanit, u bëmë dështakët më të mëdhenj”, ka deklaruar Zaev.

Sipas tij, Serbia dhe Kosova kanë qenë deri vonë “autsajderë” të procesit integrues, porse tani falë angazhimit të tyre dhe kompromisit të arritur, janë disa hapa përpara vendit tonë.


“Para 7 vitesh, ne ecnim paralelisht me Kroacinë, ndërsa që nesër ajo do të jetë anëtare e plotfuqishme e BE-së. Për këtë dështim, Gruevski akuzon paturpësisht të gjithë - opozitën, përfaqësuesit vendorë, bashkësinë ndërkombëtare. E mbarë bota është fajtore, vetëm ai jo. Ai po monopolizon dhe konservon autorësinë e negociatave me Greqinë, ndërsa kur Gruevski humb, atëherë fajtorë janë të tjerët”, ka theksuar më pas Zaev.