Ylli i Newcastle thyen brinjën dhe shpon mushkërinë në derbi ndaj Sunderland

Mbrojtësi i Newcastle United, Dan Burn (33), do të mungojë për një periudhë të gjatë pas lëndimit të pësuar në humbjen 1-0 ndaj Sunderland.
Burn pësoi një brinjë të thyer dhe një shpim në mushkëri gjatë një përplasjeje me mbrojtësin e Sunderland, Nordi Mukiele, në pjesën e parë të ndeshjes.
Mukiele u ndëshkua me karton të verdhë për ndërhyrjen ndaj Burn, ndërsa të dy lojtarët rrëshqitën gjatë përpjekjes për topin.

Edhe pse Burn tentoi të vazhdonte lojën pas goditjes së parë, ai u zëvendësua disa minuta më vonë nga Fabian Schar.
Trajneri i Newcastle, Eddie Howe, konfirmoi më vonë se mbrojtësi anglez ishte dërguar në spital për shkak të vështirësive në frymëmarrje.
Sipas Daily Mail, Dan Burn mund të mungojë deri në gjashtë javë, duke humbur rreth 10 ndeshje.
Lëndimi i tij krijon probleme shtesë për Howe, i cili tashmë ka qenë pa Sven Botman, Kieran Trippier, Jamaal Lascelles dhe Emil Krafth për arsye të ndryshme. Aktualisht, Newcastle ka vetëm katër mbrojtës të gatshëm për ndeshjet e ardhshme.

“Ne kemi disa lëndime dhe situata është e vështirë. Për momentin, nuk është ideale”, tha Howe.
Newcastle United aktualisht ndodhet në vendin e 12-të me 22 pikë, ndërsa Arsenali kryeson tabelën me 36 pikë. /Telegrafi/












































