Ylli i Ligës Premier bëhet kandidat serioz për ta përforcuar sulmin e Barcelonës

Barcelona tashmë ka nisur analizimin e opsioneve për rinovimin e repartit ofensiv në afatin kalimtar veror. Drejtuesit sportivë katalanas kanë vënë në shënjestër Jean-Philippe Mateta, sulmuesin francez që aktivizohet me Crystal Palace.
Ky interes vjen në një moment kyç tranzicioni për projektin e Hansi Flick, i cili duhet të gjejë zgjidhje për shkak të largimit të pritshëm të Robert Lewandowskit në përfundim të kontratës së tij.
Nevoja për një pikë referimi në zonë është kthyer në prioritet absolut për bordin drejtues të klubit.
Barcelona e kupton se boshllëku që do të lërë sulmuesi polak kërkon një profil që jo vetëm garanton efikasitet para portës, por edhe rrit konkurrencën e brendshme krahas lojtarëve si Ferran Torres.

Megjithëse vlerësimi fillestar i kartonit të tij ishte rreth 40 milionë euro, rrethanat e fundit sugjerojnë se transferimi i Jean-Philippe Mateta mund të realizohet për një shumë më të ulët.
Barcelona po monitoron me kujdes gjendjen fizike të lojtarit, duke pasur parasysh se një transferim i dështuar te Milan gjatë afatit kalimtar të dimrit erdhi si pasojë e problemeve mjekësore.
Flick vlerëson aftësinë e francezit për të luajtur me shpinë nga porta dhe fuqinë e tij në tranzicionet e shpejta, cilësi që mund të rigjallërojnë sulmin në “Camp Nou”./Telegrafi/




















































