LAJMI I FUNDIT:

Yagcilar: Pakoja ligjore e reformës së administratës publike forcon llogaridhënien ndaj qytetarëve

Yagcilar: Pakoja ligjore e reformës së administratës publike forcon llogaridhënien ndaj qytetarëve

Ministria e Administratës Publike (MAP) ka organizuar sot në Prishtinë debatin përmbyllës konsultativ me komunat e Kosovës për pakon ligjore të reformës së administratës publike me pjesëmarrje të komunave dhe organizatave të shoqërisë civile nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës dhe Prizrenit.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci si dhe kryetari i komunës së Mamushës, Abulhadi Krasniç.


Në hapjen e debatit, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar deklaroi se përmes pakos ligjore të reformës së administratës publike, vendi do të afrohet më shumë me BE-në, përderisa do të forcojë kornizën legjislative për qeverisje të mirë dhe llogaridhënie karshi qytetarëve.

Ai shtoj se tre projektligjet kanë një rëndësi të veçantë për procesin e shtetndërtimit dhe përmes tyre adresohen problemet qenësore në administratën shtetërore që kanë zbehur besim qytetar dhe kanë penguar ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

“Pakoja ligjore e reformës së administratës publike krijon bazë të fuqishme legjislative për një shtet modern e Evropian, që ka kapacitet të ballafaqohet të zbatoj në mënyrë efektive reformat e procesit të integrimit evropian”, tha ai.

Më tutje, ministri sqaroi se pakoja ligjore adreson problemet aktuale me procesin e rekrutimit në institucionet publike, duke parandaluar ndikimet politike në proces me qëllim forcimin e një administrate profesionale dhe efektive.

Krahas kësaj, tre projektligjet do të zgjidhin edhe problemet me themelimin dhe funksionimin e agjencive të pavarura si dhe do të vendosin rend dhe rregull në sistemin e pagave dhe shtesave për sektorin publik.

Ministri Yagcilar sqaroi se ditëve në vijim Ministria pritet të përmbyll procesin e konsultimit publik për tre projektligjet dhe pas adresimit të komenteve nga ana e qytetarëve, institucioneve dhe palëve të tjera do të dërgoj projektligjet për aprovim në Qeveri.