LAJMI I FUNDIT:

Xhamia e Gjirokastrës, monumenti që u zhbë nga restaurimi

Xhamia e Gjirokastrës, monumenti që u zhbë nga restaurimi

“Rruazë po bëhet restaurimi i Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër. Do durim kjo punë, do durim Gjirokastra… do edhe dashuri, për punën dhe Gjirokastrën”. Ka qenë ky postim i ish-ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Por, mënyra se si ishte e si u bë xhamia, ka ngjallur debat të mes specialistëve të trashëgimisë.

“Në çatinë e vjetër si në foto janë përdorur pllaka guri të cilat janë drejtkëndore. Këtu në çatinë e re duket se janë përdor pllaka të prera drejt. Me gjithë respektin, nuk ka restaurim”, shkruan njëri nga komentuesit. Ai këmbëngul se “në çati është përdorur llaç sikur të qe mur. Çatitë në Gjirokastër nuk bëhen me llaç…”.


Për të njëjtën çështje ka reaguar arkitekti nga Gjirokastra, Kreshnik Merxhani. Ai e ka cilësuar skandaloze mënyrën e mbulimit të Xhamisë së Memi Beut apo e njohur si Xhamia e Pazarit, me rrasa guri.

“Mbulimi, kaq karakteristik, e kaq i lidhur ngushtësisht me logjikën konstruktive dhe përdorimin e materialit të gurit, i ruajtur tradicionalisht me fanatizëm prej mjeshtërve gjirokastrit, duket se kësaj radhe ka rënë në duar amatorësh, madje diletantësh në kuptimin më negativ të kësaj fjale. Shpresoj që dikush të mbajë përgjegjësi në fund për këto ‘rruaza’ që ngelen duke ja varur Gjirokastrës si pa të keq”, shkroi Merxhani.

Edhe për Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore “ky është një turp: ta mbajë kush e ka bërë!”. Sipas FMTK-së, mirë kryeministri se nuk ja ka idenë këtyre gjërave, por çështja shtrohet se si Instituti i Monumenteve ka degraduar deri në këtë pikë sa të tjetërsojë teknikat shekullore mesdhetare të mbulimit?

“Kjo është e tmerrshme! Po tjetërsohen objektet me përfaqësuese të vendit dhe është hedhur në plehra Karta e Restaurimit. Forumi prej vitesh ngulmon që duhen ndërprerë restaurimet, dhe të bëhen vetëm punime konsolidimi të monumenteve në rrezik, pasi në atë Institut të mjeruar nuk ka më kapacitete profesionale”. /GSh/