LAJMI I FUNDIT:

Xhamia e Et’hem Beut, projekti restaurues i vitit 1930 dhe kujdesi për vlerat kulturore

Xhamia e Et’hem Beut, projekti restaurues i vitit 1930 dhe kujdesi për vlerat kulturore

Në vitin 1930, Komuniteti Mysliman Shqiptar mendoi të bënte disa ndërhyrje ndërtimore në xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë. Mirëpo, dokumentacioni zyrtar që vjen nga ajo kohë, e që ruhet në Arkivin Qendror Shtetëror, nuk përcakton llojin e punimeve që do të kryheshin, ndoshta restaurime, apo përshtatje.

Për të hartuar projektin u ngarkua një inxhinier, me siguri i profesionit të ndërtimit, por që emri i tij nuk përmendet gjëkundi. Dhe inxhinieri hartoi një projekt në të cilin parashikonte që të kthente çatinë e hajatit në një tarracë të shfrytëzueshme nga vizitorët. Me siguri që ai ka qenë i frymëzuar nga ministritë e reja dhe sheshi që thuajse sapo ishin përfunduar, e që ngjallnin kureshtje dhe entuziazëm në një qytet prej qerpiçi. Hapësira e sheshit “Skenderbej” me shatërvanin rrethor në mes, lulishtja e paparë ndonjëherë në Tiranë dhe ndërtesat evropiane të ministrive, do të ishin sa tërheqëse, aq edhe frymëzuese dhe besimndjellëse ndaj së ardhmes, në një popull të lënë në mesjetë.


Mirëpo, përtej fantazisë së inxhinierit qëndronte kujdesi administrativ i kryetarit të Komunitetit mysliman, i cili kërkonte përshtatshmëri ligjore të veprimeve. Por, jo vetëm kaq: Në mendimin dhe veprimet e tij kishte largpamësi kulturore. Duke dyshuar në konceptin e inxhinierit për një ndërhyrje në një objekt me vlera jo vetëm fetare, por edhe arkitektonike, ai iu drejtua Muzeut Kombëtar për të marrë një mendim. Çudia se përse Muzeut Kombëtar dhe jo instiucioneve të specializuara për mbrojtjen e monumenteve të kulturës ka kuptim për të sotmen dhe jo për atë kohë të largët, kur i vetmi institucion që merrej me kulturën materiale ishte Muzeu Kombëtar.

Në shkresën drejtuar muzeut shfaqej shqetësimi nëse përshtatja e projektuar do të dëmtonte arkitekturën e vjetër të xhamisë, duke kërkuar edhe një mendim specialisti.

Shkresa e përgjigjes është një model psikologjie, delikat për të mos prekur ndjenjat fetare dhe bindës.

Dihet botërisht se ndërhyrja transformuese në monumente nuk lejohet, por drejtori i Muzeut Kombëtar nuk ngutet për të dhënë një përgjigje mohuese për projektin. Fillimisht ai shtjellon gjendjen e trashëgimisë së varfër arkitekturore në Tiranë, duke përmendur se Tirana nuk ka banesa të vjetra me vlerë arkitektonike, që do të paraqisnin ecurinë e zhvillimit të saj, as ura, madje as edhe kisha, por se të vetmet objekte, apo ndërtesa me arkitekturë të shquar, që përmbanin art dhe me të cilat mund të krenohej Tirana edhe në sy të të huajve që vizitonin qytetin, ishin xhamitë.

Dhe, analizon tre xhamitë me vlerë të veçantë që kanë qenë më parë, ajo e Et’hem Beut, Xhamija e Vjetër (duke nënkuptuar xhaminë që ka qenë pranë varrit të Kapllan Pashës) dhe Xhaminë e Karapicëve (kjo e fundit jo me një vlerë të spikatur si ato dy të parat, por që formonte një trinitet harmonik, duke nxjerrë më në pah vlerat e xhamisë së Et’hem Beut). Në vazhdim flet edhe për vlerësimin e lartë për xhamitë nga të huajt që vizitonin Tiranën. Pastaj përmend edhe keqardhjen e të huajve që nuk e shikonin më Xhaminë e Karapicëve, e cila u prish për të hapur rrugën e Durrësit.

Vetëm mbas kësaj paraqitjeje të kujdesshme, analizohet ndërhyrja e projektuar, e cila do ta tjetërsonte objektin nga ai origjinali i lënë trashëgim nga të parët, duke u humbur vlerat arkitektonike, e duke kaluar më vonë në harresë trajta e saj fillestare. Në mbyllje shprehet se ishte detyra e tyre që ta ruanin xhaminë ashtu siç ishte, pa tjetërsuar pamjen e saj.

Dhe, kështu, xhamija e Et’hem Beut shpëtoi nga tjetërsimi dhe vjen edhe sot e kësaj dite në origjinalin e saj të parë. /Shqiptarja/