Xhaka i kënaqur me fillimin e stinorit

Xhaka ka qenë titullar në të tria ndeshjet, që është një ngritje e madhe krahasuar me stinorin e kaluar, kur kohën më të madhe ishte rezervist. "Jam i kënaqur. Kam pasur një fazë të mirë përgatitore, dhe momentalisht po ecën mirë për mua”.
“Po të fitonim më tepër pikë në vazhdim, atëherë situata ime do të jetë edhe më mirë. Unë po ndiej tash besimin e trajnerit dhe po ashtu po më rritet vetëbesimin. Për të mbetur kështu, po stërvis mjaft fortë dhe po bëj në stërvitje edhe orë shtesë sa më shpesh që është e mundur", ka thënë Xhaka, përcjell "Ran.de" të premten, transmeton Tribuna. Ndonëse paraqitjet e 20-vjeçarit janë shtuar, Gladbachu ka marrë vetëm tri pikë nga tri xhirot e para.
"Ne po përparojmë në krahasim me stinorin e kaluar. Por, në fund janë pikët ato që kanë rëndësi. Natyrisht se nuk është turp të humbasësh nga Bayern Muencheni e Bayer Leverkuseni, dy skuadra që do të renditen në krye të tabelës. Por, do të kishte qenë mirë të merrnim së paku nga një pikë nga ato ndeshje", ka shtuar Xhaka. /Telegrafi/





















































