Sipas “The Telegraph”, Xabi Alonso pritet të jetë pjesë e një liste me tre emra si kandidat potencial për ta pasuar Pep Guardiolën në krye të Manchester Cityt.

Brenda qarqeve të Ligës Premier po rritet bindja se Guardiola mund të largohet nga “Etihad” në fund të këtij sezoni, çka do të shënonte plot 10 vite në krye të skuadrës kampione të Anglisë.


Mediumi britanik raporton se Manchester City i kanë hedhur poshtë këto raportime, duke i cilësuar ato si “spekulime të pastra”, megjithatë thuhet se në prapaskenë po zhvillohet planifikim alternativ për çdo skenar të mundshëm.

Xabi Alonso, i shkarkuar së fundmi nga Real Madridi, shihet si një nga kandidatët kryesorë për shkak të profilit të tij taktik dhe përvojës në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Spanjolli vlerësohet për qasjen moderne dhe aftësinë për të ndërtuar skuadra konkurruese në një kohë të shkurtër.

Në listë pritet të merret në konsideratë edhe Enzo Maresca. Trajneri italian, i cili u largua nga Chelsea muajin e kaluar, ka pranuar se para shkarkimit kishte zhvilluar bisedime si me Manchester Cityn, ashtu edhe me Juventusin, çka e mban emrin e tij në orbitën e klubeve të mëdha.

Një tjetër emër interesant është Cesc Fabregas. Aktualisht trajner i Comos, ish-mesfushori spanjoll do të ishte i gatshëm të largohej vetëm për një nga postet më të mëdha në futbollin anglez ose në Evropë, duke e bërë atë një opsion afatgjatë, por ambicioz.

E ardhmja e Pep Guardiolës mbetet ende e paqartë, por sinjalet nga Anglia sugjerojnë se Manchester City tashmë po mendon seriozisht për epokën pas tij./Telegrafi

telegrafi sport app