WSJ shkruan se Trump ‘heq një kufizim kyq’ ndaj Ukrainës – presidenti amerikan e quan gënjeshtër

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka hequr një kufizim kyç që kishte kufizuar përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi nga Ukraina për sulme në territorin rus.
Kështu ka raportuar The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë, duke thënë se ky vendim i lejon Ukrainës të godasë objektivat ushtarake armike thellë brenda Rusisë, përcjell Telegrafi.
Në veçanti, Kievi mund të përdorë raketat britanike Storm Shadow, të cilat kanë një rreze veprimi prej mbi 180 miljesh (gati 300 km).
Forcat e Armatosura të Ukrainës e përdorën këtë raketë për të goditur një uzinë ruse në Bryansk.
Siç është thënë më tej, vendimi u mor pasi kontrolli mbi miratimin e operacioneve të tilla u transferua nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së në komandën e forcave amerikane në Evropë.
Por menjëherë ka ardhur një reagim nga presidenti Donald Trump.

“Artikulli i Wall Street Journal mbi miratimin e SHBA-së që Ukraina të lejohet të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi thellë në Rusi është LAJM I RREMË! SHBA-të nuk kanë të bëjnë fare me ato raketa, ngado që të vijnë, apo me atë që bën Ukraina me to!”, ka shkruar Trump në rrjetet sociale, përcjell Telegrafi.
Lajmi vjen dhe mohimi i tij vjen pas anulimit të një samiti të propozuar paqeje midis Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së në Hungari.
Trump tha më 16 tetor se takimi do të zhvillohej brenda dy javësh, dhe ndërsa shkaku i ndryshimit të qëndrimit nuk dihej menjëherë, ai erdhi pas refuzimit nga Kremlini të një armëpushimi të menjëhershëm në Ukrainë, të kërkuar nga presidenti i SHBA-së. /Telegrafi/



















































