Në Dhomat e Specializuara në Hagë edhe sot po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Sot është duke vazhduar me dëshminë e tij, dëshmitari i dytë i mbrojtjes Paul Williams, i cili ishte këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë.


Ai ka thënë se Thaçi kontrollohej nga jashtë dhe se kishte presion nga komandantët lokalë gjatë Rambujesë.

“Kishte një presion të jashtëzakonshëm nga komandantët lokalë dhe kishte gjithashtu edhe presion ideologjik dhe kulturor nga Adem Demaçi”, tha ai.

Williams gjithashtu tregoi sesi u vendos Thaçi në krye të delegacionit kosovar në Rambuje.

Dëshmitari tha se Thaçi u zgjodh me dy vota. Sipas tij, ai e votoi veten dhe e mori edhe votën e Rexhep Qosjes.

“Pyetja juaj ka dy pyetje në një pyetje; me aq sa di tre prej tyre ishin përzgjedhur me konsensus dhe kjo vjen nga procesverbali i takimit të 7 shkurtit që më ka treguar Edita Tahiri. Gjithashtu, më është dhënë dokumenti që më lejonte mua të futesha në kështjellë. Rugova ishte LDK-ja, Qosja nga LBS-ja dhe Thaçi nga UÇK-ja. Vendimi u mor- dy me një. Qosja votoi për Thaçin- Thaçi votoi për veten dhe kjo ishte mënyra se si u zgjodh Thaçi. Dy ishin pro Thaçit dhe një kundër tij”, tha ai.

Tutje në pyetjen e gjyqtarit Chrispoph Barthe lidhur me ndikimin e Adem Demaçit, ai u përgjigj se takimi Thaçi-Demaçi në Lublanë të Sllovenisë ishte shumë i rëndësishëm.

Sipas Williams, Demaçi ishte intelektual, shumë i respektuar dhe Thaçi e kishte të domosdoshme që ta takonte.

Ai përmendi edhe Bujar Bukoshin për të cilin tha se hezitonte që të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në nga burimet që janë mbledhur nga diaspora, pasi ishin destinuar për diçka tjetër.

“Ai hezitonte për shkak të natyrës konkurruese politike dhe fondeve të kushtëzuara dhe mos e merrni kaq të mirëfilltë se është term amerikan. Ishin caktuar për diçka tjetër dhe ishte e papërshtatshme që të përdoreshin për diçka tjetër kur nuk ishin caktuar për atë fushë”, tha ai.

Gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij, Williams përmendi sërish Dino Asanaj për të cilin u shpreh se ishte përfaqësues i Qeverisë së Përkohshme në SHBA.

Meqë dje përfundoi me pyetje Prokuroria, për këtë dëshmitar ka vazhduar me pyetje trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.

Dëshmitari tha se Dino Asanaj mund të jetë emëruar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, por se kush e mori vendimin tha se nuk e di.

Për Dino Asanajn, Williams tha se ishte amerikano-shqiptar i cili i ndihmoi delegacionit kosovar në Rambuje, por ishte i kujdesshëm që të mos anonte nga ndonjë subjekt.

Ndryshe, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se për javën e ardhshme nuk ka ndonjë ndryshim lidhur me listën e dëshmitarëve dhe se do të dërgojnë në ora 16:00 një njoftim për dëshmitarin e radhës.

Gjithashtu palët thanë që nuk kanë ndryshime të kohës për marrjen e këtij dëshmitari në pyetje.

Ndryshe, në sallën e gjyqit teksa po dëgjohet dëshmia e Paul Williams janë të pranishëm të gjithë të akuzuarit. /Telegrafi/