Wendy Williams shihet në një dalje të rrallë në New York, duke festuar ditëlindjen e saj në një restorant

Wendy Williams, ish-prezantuesja e njohur e talk-show-t amerikan, festoi 61-vjetorin e lindjes në një nga restorantet më të famshme të Nju Jorkut, Delmonico’s. Sipas një burimi për Page Six, Wendy dukej “më mirë se kurrë”.
Darkën e ditëlindjes ajo e kaloi në restorantin historik mbi 200-vjeçar, të vendosur në pjesën jugore të Manhattanit, ku iu bashkuan dy nga avokatët e saj dhe producentët e dikurshëm të emisionit – çifti Suzanne Bass dhe Brendan Higgins.
Burimi gjithashtu tha se Wendy ecte pa ndihmën e paisjes së saj motorike për lëvizje dhe dukej në humor të mirë e në gjendje të qëndrueshme. Një ditë pas festës, ajo u fotografua e buzëqeshur në rrugët e Nju Jorkut.

Që nga viti 2022, Wendy ndodhet nën kujdestari të urdhëruar nga gjykata, dhe aktualisht jeton në një rezidencë luksoze për kujdes të asistuar, Coterie, në lagjen Hudson Yards – të cilën ajo vetë e ka quajtur shpesh si një “burg luksoz”.
Gjatë darkës, burimi thotë se ajo ka shprehur bindjen se avokatët e saj do ta ndihmojnë ta përfundojë këtë regjim kujdestarie.

Wendy Williams, e njohur për dekada si një nga figurat më të spikatura të televizionit amerikan, u tërhoq nga jeta publike për shkak të problemeve shëndetësore dhe vështirësive financiare që çuan në vendosjen e kujdestarisë.
Vitin e kaluar, ekipi i saj bëri të ditur se ajo ishte diagnostikuar me afazi progresive primare dhe dementi frontotemporal, por vetë Wendy e mohon këtë diagnozë dhe shprehet se është në gjendje të funksionojë sërish në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/




















































