VV: Vrasja, krim i politikës antishqiptare të Gruevskit

“Krimi i djeshëm (e hënën) në Gostivar është rezultat direkt i mendësisë shtypëse, që po ndërton Gruevski me të gjitha mjetet e veta shtetërore e propagandistike, një mendësi që shqiptarët i sheh vetëm si instanca të domosdoshme me të cilat hyn në shitblerje për të marrë e për të forcuar pushtetin e vet, por nuk i sheh si qytetarë të barabartë, nuk i sheh si komunitet me të drejta historike, ekonomike, kulturore e kombëtare”, thuhet në një komunikatë për media të kësaj lëvizjeje, e cila ka ngushëlluar familjet e dy shqiptarëve të vrarë, Besnik Shehapi dhe Imran Mehmeti.
Sipas “Vetëvendosje”, faktori politik shqiptar në Maqedoni prej shumë kohësh është shndërruar kryesisht në një apendiks të politikës maqedonase. Lëvizja kritikon qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës duke e cilësuar dëshpëruese heshtjen e tyre ndaj këtij krimi.
“Dy qeveritë vijojnë me papërgjegjshmërinë e tyre ndaj problemeve të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve aktualë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë. /Telegrafi/




















































