Vullkani Etna shpërthen sërish

Në vullkanin Etna këtë mëngjes, u hap një çarje e re nga e cila rrjedh lavë, në një lartësi prej 3,000 metrash në anën jugore të kraterit Bocca Nuova.
Ky informacion u konfirmua nga Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), stafi i të cilit në terren kryen matje dhe monitoron situatën.
Sipas të dhënave të para, rrjedha e lavës po lëviz në drejtim të jugut, shkruan Corriere della Sera.
Sizmikisht, deri më tani nuk janë regjistruar ndryshime të rëndësishme.
Burimi i dridhjes vullkanike ndodhet në një lartësi prej 2,800 metrash, midis kraterit Voragine dhe kraterit Verilindor, dhe ende nuk ka aktivitet të shtuar të infratingujve.
Lajmi i mirë është se nuk ka emetim të hirit vullkanik, prandaj aeroporti i Catanias vazhdon të funksionojë normalisht.
Pavarësisht kësaj, një nivel alarmi portokalli është shpallur për trafikun ajror si masë paraprake.
Ekspertët vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën. /Telegrafi/


















































