Një oficer policie ka humbur jetën të shtunën pasdite gjatë një përplasjeje me armë zjarri në afërsi të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Atlanta, SHBA. Sulmuesi u gjet më pas i vdekur në katin e dytë të një ndërtese afër vendit të ngjarjes.

Sipas autoriteteve lokale, rreth orës 16:50 (ora lokale), policia u njoftua për një person të armatosur në zonën e Clifton Road, ku ndodhen kampuset e Universitetit Emory dhe të CDC-së. Zona u vendos menjëherë në izolim të plotë, ndërsa u aktivizua protokolli për “sulmues aktiv”.


Oficeri i vrarë u identifikua si David Rose, 33 vjeç, punonjës i Policisë së Qarkut DeKalb. Ai kishte hyrë në shërbim në shtator të vitit 2024 dhe kishte përfunduar trajnimin disa muaj më parë. Rose u qëllua gjatë ndërhyrjes në vendin e ngjarjes dhe ndërroi jetë pak më vonë në Spitalin e Universitetit Emory.

“Një ditë e errët për qarkun tonë”, tha shefi i përkohshëm i policisë, Greg Padrick, duke shprehur ngushëllime për familjen e oficerit, e cila përfshin gruan, dy fëmijë të vegjël dhe një tjetër fëmijë në pritje.

Trupi i pajetë i sulmuesit u gjet brenda një ndërtese ku ndodhej një barnatore (CVS). Hetimet janë në zhvillim dhe ende nuk është konfirmuar nëse ai u vetëvra apo u qëllua nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Ndërkohë, autoritetet thanë se katër ndërtesa të kampusit të CDC-së u goditën nga plumbat, por fatmirësisht nuk pati të lënduar të tjerë. Në një prej godinave ndodheshin edhe 92 fëmijë në çerdhe, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore. /Telegrafi/