LAJMI I FUNDIT:

Vrasjet e kryeministrave në Ballkanin e përgjakur

Vrasjet e kryeministrave në Ballkanin e përgjakur

Në njëqind vjetët e fundit, në hierarkinë e lartë të shtetit serb ndodhën pesë atentate të rënda. U vranë dy mbretër, një mbretëreshë, një shef shteti i regjimit komunist dhe një kryeministër, derisa në Shqipëri dhe jashtë saj u vranë shtatë kryeministra shqiptarë

Në mars të vitit 1994, Zoran Gjingjiq kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë dhe oponent politik i tiranit Millosheviq, vizitoi Kosovën. Kërkoi të takohej edhe me përfaqësuesit politik shqiptarë. U takua me akademik Fehmi Aganin, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Derisa bisedonin, një moment Gjingjiqi iu drejtua Aganit:

– Profesor, nuk kam besuar se shteti serb ushtron kaq shumë dhunë ndaj shqiptarëve në Kosovë!


Shqiptari Agani dhe serbi Gjingjiq u vranë nga forcat serbe. I pari pse ishte ideolog i Kosovës së pavarur, i dyti pse dha shenja për Serbinë evropiane. Gjingjiq u vra për shkak se e deshi një Serbi proevropiane. Për këtë shkak një shekull më parë, pse ishin pro austriak, u ekzekutua edhe çifti mbretëror serb, Aleksandar Obrenoviq dhe bashkëshortja e tij mbretëresha Draga.

Në njëqind vjetët e fundit, në hierarkinë e lartë të shtetit serb ndodhën pesë atentate të rënda. U vranë dy mbretër, një mbretëreshë, një shef shteti i regjimit komunist dhe një kryeministër.

Organizata terroriste serbe Dora e Zezë përbëhej nga nacionalistë dhe oficerë serbë. Ishte formacion paraushtarak i Ministrisë së Brendshme serbe. Dora e Zezë kishte Komitetin Drejtues edhe në Prishtinë. Komiteti kishte dymbëdhjetë oficerë, pjesëtarë të hershëm të organizatave terroriste serbe. Për vrasjet dhe shfarosjet masive të shqiptarëve në Kosovë paguheshin nga Qeveria serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit në maj të vitit 1903, shefi i kësaj organizate koloneli Dragutin Dimitrijeviqi me nofkën Apis me disa oficerë, hynë fshehtas në pallatin mbretëror në Beograd. Masakruan brutalisht qiftin mbretëror Obrenoviq. Kufomat e masakruara u hodhën nga dritarja në kopshtin e Pallatit mbretëror dhe qëndruan një ditë.

Brenda e jashtë Oborrit mbretëror, disa javë u pëshpërit për një skandal të Mbretëreshës. Thanë se mashtroi popullin serb me një shtatzëni të paqenë. Koka e problemit nuk ishte këtu. Dinastia Obrenoviq u ekzekutua pse ishte proaustriake. Trupat e çiftit mbretëror u masakruan aq keq, sa kriminelët nga trupat e tyre shkulën nga një copëz lëkure si trofe kujtimi. Me copëzat e lëkurës që i ruanin, mburreshin për pjesëmarrje në masakër.

Ekzekutimi makabër i çiftit mbretëror serb, sforcoi imazhin e krijuar moti për Ballkanin brutal. “E gjithë Evropa u neverit nga brutaliteti i kasaphanës së Obrenoviqëve”, shkruante shtypi evropian i kohës.

Kur Petar Karagjorgjeviq, pas vrasjes mizore të Obrenoviqëve përmes puçit erdhi në fron, Austro-Hungaria vendosi sanksione kundër Serbisë proruse. Dora e Zezë e solli në fron dhe deri në vdekje e mbajti nën shantazh.

Tridhjetenjë vjet më vonë ndodhi atentati i radhës. U vra trashëgimtari i mbretit Petar, Aleksandar Karagjorgjeviq, gjatë një vizite në Marsej të Francës. Atentatin e kreu bullgari Vlado Çernozemski, anëtar i organizatës politike VMRO. U vra edhe ministri i Jashtëm francez, Jean Louis Barthou, derisa salutonin para popullit francez në sheshin e Marsejit.

Dhuna dhe kulti i forcës në Serbi gjithmonë ecën çift. Paranoja e dy të parave i priu të dytës; instiktit për terrorizëm. Ndodhi në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë. Kur Serbia u pavarësua dhe nisi projektin për Serbinë e Madhe.

Njëmbëdhjetë vjet pas masakrës së qiftit mbretëror serb, Dora e Zezë mbështeti vrasjen e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, arqidukës Franc Ferdinand dhe gruas së tij Sofia në Sarajevë. Pretendohet se Apis i dha armën nacionalistit serb Gavrilo Princip, kur vrau arkidukën dhe gruan e tij. Serbia u bë shkaktarja e fillimit të Luftës së Parë Botërore. Megjithëse ishte nxitësja e luftës që shkaktoi miliona viktima, serbët mbetën kombi më i përkëdhelur në Evropë.

Vrasjet politike në Serbi vazhduan edhe pas një shekulli. Atentati i radhës ndodhi në gusht të vitit 2000. Në rrethana misterioze u zhduk shefi komunist, Ivan Stamboliq. U ekzekutua nga i ashtuquajturi Njësit për Operacione Speciale, i cili udhëhiqej nga kriminelët serbë, Milorad Ulemak dhe Frenki Simatoviq. Kriminelët me nofkat Legija dhe Frenki, morën pjesë në katër luftërat e fundit në ish-Jugosllavi. Me duar të përgjakura u kthyen në Serbi dhe kësaj radhe kishin në shënjestër udhëheqjen e tyre. Qëllimi i vrasjeve dihej. Të këputej rrjeti i informacioneve për krimet e bëra nga shteti serb. Stamboliq mund të ishte dëshmitar kredibil kundër Millosheviqit dhe kriminelëve tjerë serbë në Tribunalin e Hagës. Eshtrat e tij u gjetën të betonizuar pesë vjet më vonë në harkun e një ure.

Atentati i pestë ndodhi në mars të vitit 2003. Serbët vranë kryeministrin e tyre, Zoran Gjingjiq. Ndodhi pasi u vranë mbi 25 udhëheqës serbë profilesh të larta politike e ushtarake, vartës të tiranit Millosheviq. Kryeministri Gjingjiq përbënte rrezik për klasën politike dhe grupet kriminale serbe. Vizitohej dhe vizitonte zyrtarët e lartë në Bruksel.

* * *

Edhe për shqiptarët shekulli njëzet ishte i përgjakshëm e mizor. Dora e shqiptarëve del të jetë e rëndë. Në timonin e tyre u përzien edhe shërbimet e fshehta të zbulimit, kryesisht armiq tradicionalë të shqiptarëve. Në Shqipëri dhe jashtë saj u vranë shtatë kryeministra shqiptarë. Shefi i parë i shtetit, Ismail Qemali, në rrethana misterioze u helmua në janar të vitit 1919 në Perugja të Italisë. Në atentate u vranë edhe Esad Pashë Toptani në qershor të vitit 1920 në Paris, Hasan Prishtina në gusht të vitit 1933 në Selanik dhe Idhomeno Kosturi në nëntor të vitit 1943 në Durrës. Xhafer Ypi u vra gjatë një bombardimi ajror në dhjetor të vitit 1940. Koço Kota vdiq nga torturat e regjimit komunist në Burgun e Burrelit në vitin 1949, derisa Maliq Bushati u pushkatua nga komunistët në vitin 1946.

Dy kryeministra shqiptarë dënuan njëri-tjetrin me vdekje. Pas revolucionit të qershorit në vitin 1924, Fan Noli dënoi Ahmet Zogun sapo erdhi në pushtet. Gjashtë muaj më vonë Zogu veproi njësoj. Dënuan njëri-tjetrin me vdekje në mungesë. Të dytë u detyruan të iknin nga atdheu dhe që të dy u shuan në mërgim.

Në lagjen e bllokmenëve në Tiranë ende vërtiten fantazmat rreth vrasjes së Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë dhe më gjaks të Shqipërisë. Satrap e hakmarrës, nën firmën e tij u inskenuan qindra vrasje, puçe imagjinare e gjyqe të montuara politike. Si në tragjeditë greke, një natë dhjetori të vitit 1981, hienat e Sigurimit të Shtetit do të hynin në vilën e tij për ta vrarë. Këta të fundit mijëra herë ishin ndërsyer të vritnin shqiptarë sipas urdhrave të Shehut. Tash shefi i shtetit, diktatori Hoxha urdhëroi të vriste shefin e tyre Shehun. Janë dy dosje, të cilat mbi tridhjetë vjet luftojnë njëra-tjetrën.

Zyrtarja: Kryeministri Shehu ka vrarë veten. Jozyrtarja: Shehu është vrarë nga regjimi komunist.

Në Shqipëri, Kosovë e mërgatë janë vrarë disa zëvendëskryeministra, ministra, deputetë e figura të rëndësishme politike. Dorasit shqiptarë e joshqiptarë nuk janë zbuluar kurrë. Hijet e tyre të frikshme ende hijëzojnë mbi ne.

Shqiptarët shquhen për fjalën e urtë në Gadishull: Më i keq është nxitësi se dorasi.

Gjërat që s’i keni ditur për kryeministrat e Shqipërisë: Një e treta të dënuar me vdekje, shtatë të vrarë, tre të dënuar me burg
Lexo po ashtu Gjërat që s’i keni ditur për kryeministrat e Shqipërisë: Një e treta të dënuar me vdekje, shtatë të vrarë, tre të dënuar me burg

Në trend Kultura

Më shumë
Qyteti më i vjetër në botë!

Qyteti më i vjetër në botë!

Kulture
Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Banesa Kikino, e para në Gjirokastër që i festohet viti i lindjes

Kulture
Disa shënime mbi traditën moderne greke

Disa shënime mbi traditën moderne greke

Fjala+
DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

DUKE FOLUR ME NJË MJELLMË

Fjala+
Politika dhe gjuha angleze

Politika dhe gjuha angleze

Analiza
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Kalo në kategori