LAJMI I FUNDIT:

Vrasje e rëndë në tentativë, gjykata në Prizren i cakton të pandehurit një muaj paraburgim

Vrasje e rëndë në tentativë, gjykata në Prizren i cakton të pandehurit një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit R.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:  vrasja e rëndë në tentativë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjyqtari i procedurës Xheladin Osmani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.


Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit R.K.,  ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:

“Më datë 08 shkurt, në Prizren, me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin  V.H., në atë mënyrë që për shkak të mos marrëveshjes së krijuar në momentin kritik, fillon përleshja dhe pas përfundimit të përleshjes, i drejtohet me armë zjarri duke shtënë në drejtim të dëmtuarit V.H., dhe të njëjtin e qëllon nga mbrapa në pjesën e kraharorit, derisa me këtë rast vë në rrezik jetën e pjesëmarrësve tjerë në rrahje dhe kalimtarëve të rastit. Gjithashtu i pandehuri R.K., më datë të njëjtë në kundërshtim me ligjin mbi armët, ka poseduar armën e zjarrit- revolen me 2 fishekë”, njofton tutje Gjykata.