LAJMI I FUNDIT:

Vrasja në Klinë, ekspertët thonë se dëshmitë e gjetura krijuan profilin e ADN-së së njërit të akuzuar

Vrasja në Klinë, ekspertët thonë se dëshmitë e gjetura krijuan profilin e ADN-së së njërit të akuzuar

Eksperti i ADN-së, Bashkim Mustafa, deklaroi se në dëshmitë e gjetura ishte përputhur dhe krijuar ADN-ja e të akuzuarit Ylli Gashi, njëri nga gjashtë të akuzuarit për vrasjen e tani të ndjerit F.H. Kurse, eksperti mjeko-ligjor, Naim Uka tha se plaga e marrë në kokë kishte shkaktuar vdekjen e viktimës.

Në këtë rast, Nderim, Basri, Agron, Ardit, Bahri dhe Ylli Gashi, ngarkohen për vrasjen e tani të ndjerit F.H.


Fillimisht, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Pejë, eksperti Uka tha se në raportin e autopsisë është theksuar se plaga e evidentuar tek F.H., ka shkaktuar gjakderdhje trunore, si pasojë e së cilës kishte vdekur viktima.

Uka tha se në atë raport janë përshkruar dëmtimet që janë konstatuar si rezultat e grimcave të barutit gjatë hedhjes së predhës nga arma e zjarrit, të cilat janë shoqëruar me djegje të imta lëkurore, e që në bazë të praktikave të tyre mjeko-ligjore tha se kualifikohen në plagë rezistuese.

“Kjo plagë e evidetnuar dëshmon se distanca në momentin e qitjes nuk ka qenë më shumë se një metër nga tani i ndjeri”, tha eksperti Uka, duke shtuar që këtë e dëshmojnë si provë kryesore faktet plotësuese të qitjes nga hedhja e predhës nga arma, e konstatuar në trupin e viktimës.

Eksperti tha se nuk kanë të dhëna të mjaftueshme në bazë të së cilave do të mund të deklarohej në lidhje me pozicionin e viktimës në momentin e goditjes me armë.

“Nga ana e majtë në të djathë ka shkuar predha, nuk mund ta di nëse ka qenë ulur apo në këmbë. Në fotot që unë i kam pasi që është pastruar trupi, nuk konstatohet ndonjë dëmtim tjetër trupor përmes njollës kupomore, përndryshe quhet përngjyrim kufomor që paraqitet si rezultat i qëndrimit të trupit në njërën anë, si rezultat i stazave të gjakut menjëherë pas vdekjes”, sqaroi eksperti.

Më tej, eksperti sqaroi edhe konstatimet tjera të nxjerra rreth gjendjes së trupit të tani të ndjerit.

Kurse, lidhur me ekspertizën mjeko-ligjore në raport me të dëmtuarin Mahmut Hoxhaj, tha se gjatë dhënies së mendimit ata kanë pasur në dispozicion raportet mjekësore dhe nga përshkrimi i mjekut përkatës që e ka kryer vizitën mjekësore, kishin përpiluar raportin.

Vrasja në Volljakë të Klinës, i dëmtuari rrëfen momentin kur gjashtë të akuzuarit sulmuan për vdekje vëllanë e tij
Lexo po ashtu Vrasja në Volljakë të Klinës, i dëmtuari rrëfen momentin kur gjashtë të akuzuarit sulmuan për vdekje vëllanë e tij

Edhe për të dëmtuarin Albert Hoxhaj, tha se ishte dhënë mendimi në bazë të dokumentacionit mjekësor, i cili ishte lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, e në të cilin ishte vendosur diagnoza mjekësore plagë shqyese, ndrydhëse në regjionin e pasëm të kokës.

Eksperti Uka gjatë dëshmisë tha se në raportet e autopsive mjeko-ligjore, tek rrobat dhe sendet personale, shënohen të gjitha të dhënat lidhur me gjetjet e mundshme, përfshirë edhe ato për ndonjë pjesë metalike të predhës apo predhave të hedhura nga arma.

Në rastin konkret, tha se nuk kanë konstatuar asnjë pjesë të mbetur, vetëm predhën që është hedhur nga arma e zjarrit e konstatuar përmes trajektores së përshkruar në raprotin e autopsisë, mirëpo ata nuk e kanë gjetur në trupin e të ndjerit.

Kurse, eksperti i AND-së, Bashkim Mustafa, tha se metodat që janë përdorur në rastin në fjalë për analizën e ADN-së, janë metoda të pranuara të cilat përdoren edhe nëpër laboratore në vende të ndryshme të botës.

Nga dëshmitë e gjetura, tha se njëra dëshmi ka nxjerrë profilin e AND-së, së personit Ylli Gashi.

“Sa i përket gjasës së paraqitjes së profilit në populacion, është fjala tek pika 4, faqe 6, atëherë ky profil sipas kalkulimit statistikor ka dalë që sheshësia e tij në populacionin botëror, është 1 në 134 triliar në individ që nënkupton se ky profil është përputhur me profilin e AND-së së Ylli Gashit dhe jo ndonjë person tjetër në botë mund ta ketë këtë profil të ADN-së”, tha eksperti Mustafa.

Ai sqaroi se nga dëshmia nr.1 që ishte një gëzhojë e fishekut, ishte fituar një profil i përzier i AND-së, nga së paku dy persona dhe kur është bërë krahasimi në profilet e ADN-së së Albert Hoxhajt, Mahmut Hoxhajt, Fazli Hoxhajt, Nderim Gashit, Ardit Gashit, Agron Gashit, Bahri Gashit, Basri Gashit dhe Ylli Gashit, atëherë të gjithë personat tjerë tha se janë përjashtuar kurse kanë gjetur përputhje të AND-së së Ylli Gashit.

Mustafa më pas konfirmoi se profili i AND-së nga dëshmitë 20, 21, 22 dhe 23 (njolla gjaku të gjetura në vendpunishten e të akuzuarve), përputhet me profilin e AND-së së Ylli Gashit.

Ndryshe, pas dëgjimit të ekspertit Naim Uka, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Fanol Krasniqi kishte vërejtje në ekspertizë dhe në raportin e autopsisë, pasi sipas tij nuk ishin sqaruar dhe ekspertuar plagët dhe dëmtimet tjera të viktimës në autopsi.

Andaj, ai i propozoi gjykatës që atë raport t’ia kthejë ekpspertit në plotësim dhe t’i dorëzohen ekspertit të gjitha provat materiale që gjenden në shkresa të lëndës.

Krasniqi tha se konsideron dhe beson se eksperti nuk guxon të bëjë lëshime të tilla profesionale, duke mos i përmendur dëmtimet dhe plagët tjera ndaj viktimës dhe të dëmtuarve të tjerë.

Propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar e përkrahu edhe prokurorja Lumturije Vuçetaj.

Prokurorja Vuçetaj tha se meqenëse eksperti në deklarimin e tij kishte potencuar se nuk i ka pasur të gjitha shkresat e lëndës dhe kjo ka qenë arsye që nuk ka mundur të konstatojë pozicionin e viktimës e në veçanti foto-ablumin e IML-së, të realizuar në spital.

Prokurorja vlerësoi se eksperti mund të bëjë plotësimin e raportit të autopsies, në veçanti të pozicionit të të ndjerit në raport me atë që ka shtënë, si dhe sa i përket lëndimeve apo dëmtimeve të tjera në trupin e viktimës.

Mbrojtja e të akuzuarve kundërshtuan propozimin si të pabazuar, por kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, aprovoi propozimin e përfaqësuesit të të dëmtuarve Krasniqi, që raporti i autopsisë dhe ekspertiza mjeko-ligjore të dërgohen në plotësim.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë.  Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim, raporton betimiperdrejtesi.

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori