Vrasja e dyfishtë në Vushtrri, i akuzuari Jetmir Sinani dënohet me 24 vjet burgim

Gjykata e Mitrovicës ka dënuar me 24 vjet burg Jetmir Sinanin, i akuzuari për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur në vitin 2023 në qytetin e Vushtrrisë.
Edhe në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim, mirëpo lënda është kthyer në rigjykim.
Në shpalljen e sotme (01.12.20250) gjyqtari i lëndës, Xhemajl Jusufi, kumtoi se të pandehurit 23 vite i shqiptohen për veprën penale – vrasje e rëndë, ndërsa një vit e gjysmë për – armëmbajtje pa leje.
“I pandehuri Jetmir Sinani për veprën penale – vrasje e rëndë është fajtor. Trupi gjykues i cakton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 23 vite. Për veprën e dytë penale – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve gjitashtu shpallet fajtor, i cakton dënim me burgim në kohëzgjajtje prej 18 muaj apo një vit e gjysmë. Në kuptim të nenit 76, trupi gjykues shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 24 vite burgim”- tha gjyqtari.
Pretendimet e avokatit të të akuzuarit, Fanol Krasniqi, për tronditje të fortë mendore të klientit të tij si dhe për mbrojtje të nevojshme, Gjykata ka ardhur në përfundim se nuk ka.
Kjo siç tha gjyqtari, bazuar kryesisht në ekspertizën psikiatrike.
“Në mënyrë të qartë, të besueshme plotësisht, në mënyrë profesionale e ka sqaruar se nuk ka tronditje, përkatësisht nuk ka pasur tronditje të fortë tek i pandehuri në ditën kritike. Për më tepër ky ka qenë pretendim ankimor në ankesën tuaj, as Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar se duhet bërë riekzaminim apo rivlerësim të këtij instituti përkatësisht për tronditjen e fortë mendore”- tha ai.
Ndërsa sa i përket mbrojtjes së nevojshme, gjyqtari potencon se trupi gjykues ka vlerësuar të gjitha rrethanat e rastit dhe sipas tij nuk është kontestuar se në ditën kritike ka ndodhur një përleshje- rrahje e po ashtu nuk është kontestuar se i pandehuri dhe shokët e tij janë sulmuar në ditën kritike në lagjen e tij, dhe se ka pësuar edhe lëndime të lehta trupore, siç pretendonte avokati Krasniqi.
“Trupi gjykues ka ardhur në përfundim se në këtë rast një prej elementeve të mbrojtjes së nevojshme është që sulmi duhet të jetë në vazhdim e sipër. Në këtë rast sipas dëshmitarëve edhe provave materiale sulmi ka pushuar. Të dy dëshmitarët edhe në rikonstruiktim edhe në gjykim, dy herë kanë deklaruar se momenti kur i ndjeri Fatos e ka drejtuar armën është kthyer në vendin e tij dhe vetura ka qenë në lëvizje e sipër që nënkupton që sulmi nga ana e të pandehurit është ndërmarrë pasi që ka përfunduar sulmi, prej në këtë rast viktimës”- theksoi gjyqtari.
Madje, siç tha gjyqtari, mbrojtja në këtë rast e të pandehurit nuk ka qenë e domosdoshme të ndërmerret në formën se si është ndërmarrë.
Pretendimet e avokatit të të akuzuarit se Prokuroria nuk është kujdesur të vërtetojë faktet që shkojnë në favorin e tij
Në Gjykatën e Mitrovicës, më 25.11.2025, janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin e Jetmir Sinanit, i akuzuar për rastin e vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur në Vushtrri më 2023.
Në gjykimin e parë, më 20.01.2025, i pandehuri ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 24 vjet burgim.
I pandehuri kishte thënë në seancën përfundimtare se qëndron prapa deklarimeve të mëparshme, pra e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, por jo edhe për vrasje.
“Qëndroj prapa deklarimeve që i kam dhënë në vendin e ngjarjes”- kishte thënë Sinani.
Në anën tjetër prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, kërkoi nga Gjykata ta shpallë fajtor të pandehurin për veprat penale të cilat i vihen në barrë dhe ta dënojë sipas ligjit.
Se rasti ka ndodhur afër një shkolle dhe se ka pasur frekuentim të qytetarëve e kishte thënë avokati i palës së dëmtuar Fatos Zenunit, Kushtrim Salihu, i cili kishte kërkuar që ky akt i rëndë kriminal të marrë përgjigjen më të ashpër që parashikon ligji – burgimin e përjetshëm.
Se të akuzuarit nuk janë çdoherë fajtorë dhe se viktimat nuk janë çdoherë të pafajshme kishte potencuar avokati i të akuzuarit Jetmir Sinani, i cili ia drejtonte gishtin Prokurorisë se nuk është kujdesur të vërtetojë faktet që shkojnë në favorin e të akuzuarit.
Sipas avokatit, në ditën kritike, para garazhit ishte ndalur një veturë “Pick up” ndërkaq pas pak sekondash një veturë e tipit “Opel Astra”.
Avokati kishte thënë se nga dritarja e veturës “Opel Astra” kishte shtënë Fatosi.
Ndërsa, sipas tij, dy persona kishin dalë nga vetura “Pick up” dhe katër nga vetura tjetër dhe së bashku e kanë sulmuar të akuzuarin dhe shokun e tij.
Më 04.11.2025, Gjykata e Mitrovicës ka bërë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi në tetor të vitit 2023 në Vushtrri.
Sipas aktakuzës, i pandehuri J.S., më 29.10.2023, rreth orës 15:50, në qytetin e Vushtrrisë, në udhëkryqin ku kryqëzohen rrugët “Mehmet Konjuhi”, “Rifat Galica” dhe “Zahir Pajaziti”, me qëllim të privimit nga jeta të personit tjetër, me përdorimin e armës së zjarrit të tipit “AK-47”, ka privuar nga jeta tani të ndjerët F.A. dhe L.M. Me këtë rast, i pandehuri akuzohet për kryerjen e veprave penale – vrasje e rëndë, dhe – armëmbajtje pa leje.
Sipas komunikatës, këqyrja në vendin e ngjarjes u bë në prezencë të Prokurorisë së Mitrovicës, mbrojtësve të të pandehurve, përfaqësuesve të viktimave dhe zyrtarëve hetimorë si: Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSH), Njësia e Forenzikës si dhe ekspertë nga lëmit përkatëse si Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF).
Ndryshe, më 30.10.2025, pesë persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovës si të dyshuar për përfshirje në rastin ku mbeti i vrarë një person në Vushtrri dhe dy të tjerë u plagosën.
Policia kishte konfirmuar se fillimisht kishin arrestuar dy persona, J.S, 24 vjeçar dhe E.B., 24 vjeçar, ndërsa gjatë hetimeve kanë identifikuar edhe tre persona të tjerë.
Drejtoria Rajonale në Mitrovicë kishin konfiskuar një armë si provë materiale e cila ishte armë e gjatë, raporton Kallxo.


















































