LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e dyfishtë në Pejë, vijnë reagimet e liderëve shtetërorë dhe partiakë

Vrasja e dyfishtë në Pejë, vijnë reagimet e liderëve shtetërorë dhe partiakë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Pejës.

Dy zyrtarë të lartë të PDK-së, kandidati për kryetar të Komunës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, pas një konflikti, janë gjuajtur me armë zjarri ku dhe kanë mbetur të vdekur.

Po ashtu vëllai i Astritit, Avniu, është plagosur, i cili sipas mjekut kujdestar në spitalin e Pejës, është rrezikut për jetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar mbrëmë për Telegrafin se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20: 20, afër Shkollës së Mesme “Ali Hadri”.

Pas patrullimi në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë aktit.

Pas rastit tragjik në Pejë kanë reaguar liderët shtetërorë dhe partiakë, duke u shprehur të tronditur nga rasti.

Presidentja Osmani ngushëllon familjet e të vrarëve në Pejë, fton organet e rendit për zbardhjen e rastit 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës.

Osmani ka kërkuar nga organet e rendit që të punojnë intensivisht në zbardhjen e vrasjes.

“Me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ngushëllime të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe PDK–së! Të lënduarit, i dëshiroj shërim të shpejtë! Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Konjufca: Të gjithë jemi tronditur nga tragjedia në Pejë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas lajmit për vrasjen e dyfishtë në Pejë, duke thënë se të gjithë janë tronditur nga ngjarja.

Konjufca në një postim në Facebook u ka shprehur ngushëllime familjeve Ademaj e Kadrijaj.

“Të gjithë jemi shumë të tronditur nga dy ngjarjet e sotme, të cilat na prekën e na pikëlluan pa masë.

Vrasja e Astrit Ademaj, kandidat për kryetar të Pejës nga PDK-ja dhe e Blerand Kadriajt nga Deçani është një krim i rëndë autorët e të cilit duhet të gjenden menjëherë. Inkurajojmë organet e rendit të bëjnë çmos që të zbardhet rasti e të kapen dorasit.

Familjeve Ademaj e Kadriaj ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, shkruan Konjufca.

Kurti: U tronditëm nga ngjarja, ngushëllime familjarëve dhe PDK-së

Sonte u tronditëm nga ngjarja e rëndë që ndodhi në qytetin e Pejës. Sipas konfirmimit zyrtar të Policisë së Kosovës në vendin e ngjarjes kanë mbetur të vrarë dy qytetarë të vendit tonë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës, A. A., dhe, ish kandidati për kryetar të Deçanit, B. K., të dy nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike.

Ftoj organet e rendit që me seriozitetin më të lartë, sa më parë të zbardhin rastin e kësaj vrasje të dyfishtë.

Vrasja e dyfishtë në Pejë, reagon PDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur sonte në Pejë, ku të vrarë kanë mbetur dy zyrtarë të kësaj partie, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.

PDK thotë se janë të tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës, transmeton Telegrafi.

“Partia Demokratike e Kosovës është e tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në Pejë, të kandidatit tonë për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijajt, ish kandidat për Kryetar të Komunës së Deçanit më 2017. Ju shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të tyre. Në këto momente të rënda, bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre e lutemi që të gjejnë forcën që të përballin humbjen e rëndë”, vijon reagimi i PDK-së.

Vrasja e dyfishtë në Pejë, LDK: Jemi të gjithë të tronditur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të mërkurën mbrëma në qytetin e Pejës, ku dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, kandidati për kryetar të Komunës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, pas një konflikti, janë gjuajtur me armë zjarri ku dhe kanë mbetur të vdekur.

Pas rastit në Pejë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka dërguar këtë telegram ngushëllimi familjeve të të vrarëve dhe PDK-së.

“Të gjithë jemi tronditur nga vrasja e dyfishtë që ndodhi sonte në Pejë. U shpreh ngushëllime familjeve Ademaj dhe Kadrijaj si dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për humbjen e dy zyrtarëve të saj”, thuhet në telegram. /Telegrafi/