LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e Azem Hajdarit, flet ish-kreu i SHISH: Si u arratis Fatos Nano nga malet dhe roli i Sali Berishës

Vrasja e Azem Hajdarit, flet ish-kreu i SHISH: Si u arratis Fatos Nano nga malet dhe roli i Sali Berishës

Në mbrëmjen e 12 shtatorit të 1998-ës, u ekzekutua në afërsi të selisë së PD-së, ish-lideri i dhjetor ´90, Azem Hajdari, që në atë kohë ishte deputet dhe kryetar i komisionit parlamentar të sigurisë. 19 vjet më pas, demokratët vijojnë të përkujtojnë Hajdarin duke u mbledhur rreth memorialit të tij, i vendosur në të njëjtin vend ku edhe u vra, bashkë me truprojën e tij.

Për vite me radhë, PD akuzoi për ngjarjen e rëndë, zyrtarët e asaj kohe, duke e nisur me ish-kryeministrin Fatos Nano dhe ish-kreun e SHISH-it, Fatos Klosi.


Ky i fundit herë pas here i është përgjigjur akuzave me të njëjtën monedhë, duke hedhur përgjegjësinë ndaj Sali Berishës.

Dhe duket se Klosi i qëndron ende deklaratave të tij.

Në një intervistë për gazetën “Sot”, ai akuzoi Berishën si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, duke u shprehur se ai e shfrytëzoi vrasjen e tij për të organizuar grushtin e shtetit më 14 shtator.

Dje u bënë 19 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit, më 12 shtator të vitit 1998. Kjo ngjarje është cilësuar si vrasja e shekullit të 20-të, pasi asnjëherë nuk u zbardh e plotë. Si e përkujtoni këtë ngjarje?

Vrasja e Azem Hajdarit ishte një ngjarje që krijoi pasoja të rënda, dhe më pas u përdor për të larguar kryeministrin e asaj kohe, Fatos Nanon. Ishte një ngjarje e parashikuar. Shteti ishte në dijeni, sepse Azem Hajdarit i ishin bërë disa herë atentate. Ata që e vranë erdhën në Tiranë nga Tropoja, dhe bën atë që bënë. Për më tepër, kësaj ngjarjeje iu dha një ngjyrë politikë, propagandistike; qe një ngjarje që u shfrytëzua nga PD për të rrëzuar qeverinë. Jam akuzuar edhe unë sikur unë e kisha vrarë Azemin. Berisha ishte në dijeni për ngjarjen.

Ai shumë shpejt pas ngjarjes, bëri një deklaratë se kush ishin vrasësit, ndërkohë që nuk dihej asgjë. Berisha doli i pari dhe foli. Berisha për mendimin tim është bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Ngjarja u diskutua në një proces gjyqësor që asnjëherë nuk ka qenë i plotë. Nuk iu shkua deri në fund asnjëherë problemit. Sot është dënuar një njeri që nuk është ai aktori kryesor, jo e jo vrasësi. Të gjithë ata që e dinin se kush e vrau, se kush e organizoi gjithë ngjarjen i vrau një e nga një nga të dyja palët në konflikt.

Ka mbetur një nga ngjarjet e dhimbshme të këtij tranzicioni që është shfrytëzuar edhe politikisht.

Berisha u mburr se do të bënte gjithçka që kjo ngjarje të zbardhej plotësisht, por nuk bëri asgjë. Berisha ka qenë njeriu që ka dëgjuar dhe ka regjistruar Azemin që u plagos. Berisha i kishte të gjitha mundësitë që kjo ngjarje të zbardhej; ai nuk pranoi asnjëherë të shkonte në gjyq të dëshmonte.

Në fillim akuzoi Fatos Nanon për ngjarjen se e kishte realizuar nëpërmjet SHIK, nëpërmjet meje. Më pas akuzoi Rexhep Mejdanin. Këto ishin karagjozllëqe. Ai është përgjegjësi kryesor që ngjarja nuk u zbardh asnjëherë.

A e shfrytëzoi opozita e asaj kohe vrasjen e Azem Hajdarit për të rrëzuar qeverinë Nano? Si ish-kreu i SHISH, si u organizua grushti i shtetit në ’98?

Përgatitjet për grushtin e shtetit kishin filluar me kohë, dhe informacionet ishin të plota. Ishte një përgatitje për t’i bërë rezistencë qeverisë. Në Shkodër po stërviteshin njerëz me muaj të tërë, për ta nisur që andej dhe më pas për të ardhur në Tiranë. Ata morën me dhunë dhe me armatime, institucionet. Policia u dorëzua, vetëm Garda bëri rezistencë. Në Gardë kishte edhe njerëz të PD. Ata që morën tanket, ia dorëzuan PD.

Të gjithë kryengritësit morën Kryeministrinë, zyrën e Kryeministrit, Radio Televizionin, Parlamentin, zyrën e kryetarit të Parlamentit; vetëm Presidenca i shpëtoi dhunës së kryengritësve. Më pas dolën në televizor dhe deklaruan fitoren, se e kishin ata shtetin dhe pastaj me bisht ndër shalë, kur morën mesazhe nga jashtë, i lanë që të tëra dhe ikën nëpër shtëpia. Shumica e kryengritësve iu turrën dyqaneve të Tiranës, rrugës së Durrësit, të Kavajës, dhe aty u mor vesh që ajo kryengritje kishte dalë nga binarët.

Më pas u larguan vetë me bisht ndër shalë dhe u justifikuan se nuk e kishin bërë ata këtë ngjarje, se ishte e improvizuar. Por këto ishin përralla.

Drejtësia nuk u përpoq seriozisht që të gjente as ata që e organizuan vrasjen dhe as grushtin e shtetit. Vrasja e Azemit ashtu siç u lejua që të realizohej, ashtu edhe u shfrytëzua për të rrëzuar qeverinë Nano. Sot i thurin lavde por ajo ishte një ngjarje që gati-gati u planifikua për të shkuar deri aty.

Cila është e vërteta e arratisjes së Fatos Nano gjatë grushtit të shtetit?

Fatos Nano tentoi të ikte një ditë përpara në Itali. Por, ai bëri një mbledhje qeveri të fortë në datë 13 pasdite, ku dha udhëzime se çfarë duhet të bënte të nesërmen policia për të tilla situata. Pastaj të nesërmen në mëngjes bashkë me grupin e shoqërimit, bëri rrugë nëpër male për të dalë në Maqedoni. Ishte skandaloze. Shqipëria kishte plot vende të sigurta për kryeministrin. Ai e dinte mirë që asgjë nuk do ndodhte afatgjatë. Askush nuk e dinte ku ishte kryeministri. As presidenti i vendit nuk e dinte. As ministrat. Të nesërmen ishte thyer poçja.

A mund të themi se Shqipëria kishte një kryeministër frikacak apo të papërgjegjshëm?

Unë e kam quajtur gjithmonë të papërgjegjshëm. Kryeministri nuk është një njeri i vetëm, ka një staf. E gjithë puna e stafit çalonte. Ai u tremb. Nuk e di me siguri, thuhej se u gjend një plumb në tavolinën e tij. Nuk pretendoj që kryeministri duhet të rrinte në Tiranë, por kryeministri kishte plot vende të tjera që mund të ndihej i sigurt në Shqipëri. Mund të ndihej më i sigurt se sa në Maqedoni. Të shkonte në Skrapar dhe nuk do ta gjente as dreqi e jo më njerëzit e Berishës.

Në trend Lajme

Më shumë
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

Kronika e Zezë
Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Drejtësi
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori