LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijajt – dy familjet pajtohen mes vete

Vrasja e Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijajt – dy familjet pajtohen mes vete

Një ngjarje tragjike kishte ndodhur në shtator të vitit 2021 në qytetin e Pejës, ku dy zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, kishin mbetur të vrarë.

Ademaj dhe Kadrijaj pas një konflikti që kishin pasur ishin gjuajtur me armë zjarri, transmeton Telegrafi.

Gjashtë muaj pas ngjarjes tragjike, familja Ademaj dhe Kadrijaj ia kanë zgjatur dorën e pajtimit njëra tjetrës.


I pranishëm gjatë pajtimit mes dy familjeve ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se shpreson që të tilla tragjedi të mos ndodhin kurrë më.

“Jam para juve si një vëlla me kërku pajtimin, tragjedia ka ndodhë. Por ne jemi vëllezër shqiptarë. Sot kërkoj nga ju familja Ademaj të ia shtrini dorën familjes Kadriaj, dhe po ashtu lus Zotin që këto tragjedi të mos përsëriten kurrë”, tha ai.

Vrasja e dyfishtë kishte ndodhur më 8 shtator, rreth orës 20:20, afër Shkollës së Mesme “Ali Hadri”.

Pas patrullimi në vendin e ngjarjes, policia kishte gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë aktit.

Për vrasjen e Ademajt dhe Kadrijajt ka pasur reagime të shumta. /Telegrafi/