Disa palë zgjedhje pasluftës, të organizuara nga OSBE-ja dhe tani vendorët, shikuar nga prizmi i rregullave të kurtuazisë për demokracinë, qytetari i Kosovës doli me notë të lartë, dhe para vendeve që kanë një moshë të madhe të demokracisë. Ky qytetar, me këto sjellje dëshmoi për dy gjëra elementare: respektimin e rendit ligjor dhe kushtetues, dhe ndikoi në forcimin e imazhit për Kosovën, në periudhën e ecjes nën protektoratin e bashkësisë ndërkombëtare.

Në aspektin e relacioneve në komunikimin ndërpartiak, në shumësinë e ideve të prezantuara, dolën në shesh përvojat e pamjaftueshme të partive politike për të harmoninizuar vizionet - programet politike me nevojat dhe prioritet, dhe duket se këtu ka pasur shkarje të shumta prej realitetit, dhe nganjëherë këto ide me ngjyrime paksa futuriste, ishin dhe mbeten ende në masë më të vogël pjesë e ofertave politike të disa partive politike.

Në vazhdimësi kjo formë e promovimit të ideve politike ka ndikuar të rritet doza e zhgënjimit, dhe distanca e qytetarit - votuesit për pjesëmarrje më aktive në jetën politike dhe procesin zgjedhor.

Vrojtimi nëpërmes “vrimave” të “dylbive” nga liderët e partive, i ka bërë ata, të kenë prirje t’i shohin objektivat nga “largësitë”, dhe duket se më pak kanë pasur qasje t’i vërejnë pamjet para vetes.

Disa palë zgjedhje, kanë ecur me të njëjtën moto - për pavarësinë e Kosovës, dhe në këtë letër është luajtur nganjëherë për të mbuluar paaftësinë dhe keq qeverisjen e qeverive të kaluara, me arsyetimin, se po ta kishim shtetin, dhe ne të udhëhiqnim me institucionet, gjendja do të ishte krejtësisisht ndryshe.

Sidoqoftë, ky qytetar i dërmuar nga pasojat e luftës në planin ekonomik, i prekur në identitetin familjes, në një ecje sipas projektit të pashkruar të mbijetesës, kërkon dorën e shpëtimit nga institucionet e Kosovës së pavarur, të sapodala nga periudha e inkubatorizimit.

Adaptimi me mënyrën e re të jetës, është çështje fundamentale për qytetarin, që determinohet nga një varg faktorësh të panjohur, të cilët prodhojnë pasiguri të shtuar.

Këta faktorë ende të pa identifikuar në plotëni sfidojnë strategji, projekte, që nuk e zbërthejnë deri në detale ecurinë e lëvizjeve tona pozitive, nuk mobilizojnë në atë masë sa të përmbyllet suksesshëm një cikël paszgjedhor, i cili i m’veshë me përgjegjësi strukturat qeveritare dhe lokale që duhet të përballen me to.

Sfera e menaxhimit institucional, mbetet pika ku hë për suksese dhe dështime thyhen koncepte të formësuara të dijeve, të cilat kur nuk janë adekuate e “dhunojnë” institucionin dhe shoqërinë, dhe mbyllin qarkun e zhvillimit në ato përmasa sa vetë kreatorët e tyre mund të ndjehen të pakënaqur dhe herë herë të dështuar duke e devalvuar përfaqësimin në nivel politik, ulin ndjeshëm pjesëmarrjen aktive të qytetarit në jetën politike dhe në procesin elektoral.

Mosdalja e shumicës së votuesve në zgjedhje, krijon disa probleme, të cilat meritojnë trajtim shkencor, për pushtetet legale dhe jo legjitime, dhe mbi të gjitha do të duhej të identifikohej struktura e pjesëmarrësve, se kush është votuesi dhe cilat janë klientelat partiake, dhe në çmasë e përcaktojnë ato numërimin e votuesve në një cikël zgjedhor.

(Autori është zyrtar i lartë Ligjor në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim)