LAJMI I FUNDIT:

Vlerësimet nga Banka Botërore të përcillen me rritje të investimeve të huaja

Vlerësimet nga Banka Botërore të përcillen me rritje të investimeve të huaja

Tërheqja e investimeve të huaja direkte vazhdon të mbetet në fokus si faktor kyç për zhvillimin ekonomik në vend. Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ku të pranishmit diskutuan për hapat që qeveria e vendit dhe institucionet tjera përkatëse duhet të ndërmarrin për të përmirësuar edhe më tej mjedisin e të bërit biznes në vend.

Drejtori Ekzekutiv i OEAK-së Arian Zeka tha se përmirësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të Bërë Biznes është për t’u lavdëruar, ky përmirësim duhet të reflektohet edhe në rritje të investimeve të huaja direkte.


Sipas tij, kjo tregon që institucionet përkatëse duhet që krahas përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit afarist, të punojnë më shumë edhe në promovimin e potencialeve dhe përparësive konkurruese të cilat mund t’i ofrojë Kosova investitorëve të huaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, sqaroi se ministria të cilën ai drejton ka rol kyç në koordinimin e përpjekjeve për reforma përkitazi me fushat që mbulon raporti i Bankës Botërore. Ministri theksoi se Ligji për Investime Strategjike, i cili së shpejti do të funksionalizohet përmes akteve nënligjore, mund të krijojë lehtësira të mëdha për tërheqjen e investimeve. Ai përmendi edhe disa plane të Qeverisë për të krijuar lehtësira për krijimin dhe nxitjen e vendeve të reja të punës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomike Valdrin Lluka, tha se planet e ministrisë për furnizimin stabil me energji elektrike, si element tejet i rëndësishëm për zhvillim ekonomik afatgjatë. Në këtë drejtim, ai vuri theksin edhe mbi nevojën për të përshpejtuar hapat për projektin e ndërtimit të termocentralit të ri, ku tanimë janë duke u zhvilluar negociatat finale me kompaninë e përzgjedhur.

Lluka gjithashtu diskutoi edhe mbi planet e Ministrisë sa i përket energjisë së ripërtëritshme, ku planifikohen investime të ndryshme në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Blerta Qerimi, Specialiste e Sektorit Privat në Bankën Botërore, theksoi se përmirësimi i pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore paraqet një lajm të mirë për Kosovën, mirëpo institucionet duhet të punojnë më shumë për integrimin ekonomik të vendit, marrë parasysh nivelin e ulët të investimeve të huaja dhe të eksporteve. Ai theksoi se investitorët i kushtojnë rëndësi të madhe lehtësirave të ofruara nga shteti, marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe punës së agjencioneve për promovim të investimeve. /Telegrafi/