VLEN ka reaguar ashpër ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim se po tenton të instrumentalizojë protestën e studentëve për interesa politike dhe rikthim në skenën politike.

Në reagimin e tyre, nga VLEN thonë se “i gjithë opinioni tashmë e ka kuptuar se disa ‘studentë’ i janë futur lojës së pistë të BDI-së”, duke pretenduar se protestuesit nuk përfaqësojnë interesat reale të studentëve, por agjendën politike të partisë opozitare shqiptare.


Sipas tyre, protestat po përdoren për “t’i rikthyer në jetë” figurat e BDI-së, si Bujar Osmani, Blerim Bexheti dhe Talat Xhaferi, për të cilët thonë se “shqiptarët i përzunë me votë”.

Nga VLEN akuzojnë se pas 20 vitesh në pushtet, BDI nuk arriti ta zgjidhë çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ndërsa tani, sipas tyre, po përpiqet të mobilizojë të rinjtë dhe fëmijët e funksionarëve të saj për protesta politike.

“Pyetja është e thjeshtë: kundër kujt po protestojnë? Kundër prindërve të tyre”, thuhet në reagim.

Koalicioni vlerëson se kjo “lojë politike” është “e tejdukshme dhe e dështuar që në nisje”, duke shtuar se nuk do të lejojë që studentët të përdoren për interesa partiake.

Nga VLEN premtojnë se do ta zgjidhin çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, si dhe temat e tjera që, sipas tyre, kanë mbetur të pazgjidhura nga qeverisja e mëparshme e BDI-së.

“Koha e agallëkut politik ka marrë fund. Studentët nuk janë pronë e BDI-së, e as gomë shpëtimi për funksionarët e dëshpëruar të një partie të shkërmoqur”, thuhet në fund të reagimit.