...si dhe minon praninë ndërkombëtare këtu

- Kujtoj që presidenti i Kosovës, qeveria dhe kryeparlamentari, më në fund, do të duhej t’i thoshin JO Tadiqit dhe vartësve të tij, e për t’i thënë Jo, kanë 1001 arsye, ndërsa për ta lejuar nuk e kanë asnjë arsye të vetme -


Sot, për vizitë në Kosovë do të vij presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili do të marr pjesë në kremtimin e kërshëndellave ortodokse.

Kjo vizitë, megjithëqë gjoja ka karakter fetar, në fakt është vazhdimësi e politikës serbe ndaj Kosovës, e cila ende e konsideron Kosovën pjesë të saj, pavarësisht se Kosova tash e dy vjet ka shpallur pavarësinë, ndërsa që një dekadë është liruar nga regjimi homogjenist i Beogradit.

Nuk është gjë e re që zyrtarët e Beogradit ta vizitojnë Kosovën dhe hapur t’i sfidojnë autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë. Zyrtarët serbë vijnë në Kosovë, sfidojnë autoritetet e Kosovës, ndërsa qeveritarët tanë bëjnë sehire, duke u mjaftuar me ndonjë deklaratë të zbehtë të cilës nuk i besojnë as vet.

Autoritetet e Kosovës, presidenti, qeveria dhe parlamenti, është koha e fundit që ta marrin me seriozitet ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe të mos bëjnë politikë ad hoc, që dëmton rënd interesat e Kosovës.

Si mund të pajtohen autoritetet kosovare me vizitën e presidentit serb në Kosovë, kur Tadiqi me të gjitha institucion e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe partitë opozitare serbe, ditë e natë luftojnë pavarësinë e Kosovës, si në planin politikë, ashtu edhe në atë juridik dhe ekonomik .

Qeveria jonë duhet të shoh se sa është aktive diplomacia serbe në pengimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e ndryshme. Nuk ka lënë vend, ku ka pasur mundësi, e që të mos shkoj Jeremiçi dhe të mos bëjë propagandë kundër Kosovës.

Në planin e së drejtës, Serbia e dërgoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës në GJND, ndërsa në planin ekonomik Serbia i ka bllokuar prodhimet kosovare për tregun e saj, ndërsa prodhimet serbe në Kosovë hyjnë pa asnjë problem, madje Serbia ka sfiduar edhe marrëveshjen e CEFTA-s, duke dëmtuar rënda interesat ekonomike të Kosovës.

Përveç kësaj, qeveria serbe ka ndërhyrë vazhdimisht edhe në sistemin kushtetues dhe në integritetin e Kosovës, duke krijuar, përkrahur e financuar struktura paralele që drejtpërdrejt sfidojnë institucionet e Kosovës dhe pranin ndërkombëtare këtu, cenojnë integritetin territorial të Kosovës dhe pengojnë shtrirjen e autoriteteve legjitime të Kosovës.

Vizita e sotme në Kosovës e presidentit serb Tadiq trimëron dhe inkurajon strukturat paralele serbe që veprojnë në veriun e Kosovës dhe në enklavat serbe, cenon rënd sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, dekurajon ata serbë që njohin realitetin në Kosovë, dhe sidomos ata që dolën në zgjedhjet lokale të organizuar nga qeveria e Kosovës, poshtëron dhe sfidon autoritetet e Kosovës si dhe minon praninë ndërkombëtare në Kosovë, e cila kërkon me ngulm nga kosovarët integrimin e pakicës serbe.

Shtrohet pyeta: Ç’farë bënë prania ndërkombëtare së bashku me institucionet e Kosovës kur lejon Tadiqin ta vizitoj Kosovën sa herë që ai të dojë?! Të shkoj ku të dojë ai?! Të flas çka të dojë ai? Apo, thënë shkurt, çfarë bëjnë ata kur Tadiqi vjen këtu për t’i sfiduar institucionet dhe procesin e pavarësisë së vendit?! Ç’farë integrimi të serbëve presin faktori ndërkombëtar dhe qeveritarët tanë?

Tadiqi në Kosovë do të sfidoj përpjekjet e institucioneve tona për integrimin e serbëve në një vend të shenjtë për serbët, siç është Manastiri i Deçanit dhe në një ndër festat më të rëndësishme të krishterëve ortodoks, e kjo tek popullata serbe ka efektin e dyfishtë, kur dihet që Kisha serbe ka një rol të fuqishëm në jetën e serbeve në çdo aspekt.

Institucione e Kosovës në vend që ta ndalojnë vizitën e Tadiqit, ata para opinionit kosovar krejt për konsum të brendshëm politik sillen gjoja e kanë lejuar vizitën e tij, që sipas qeveritarëve tanë paska vetëm karakter religjioz, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe.

Presidenti serb në Kosovë vjen pa lejen e institucioneve kosovare, ai ka njoftuar Zyrën Civile Ndërkombëtare e kjo ia paska përcjell qeveritarëve tanë, kurse këta të fundit, me shumë zemërgjerësi ia paskan bërë aminin. Kjo sjellje e qeveritarëve tanë është hipokrizi, qyqarllëk dhe paaftësi për t’u përballuar me realitetin.

Si qytetarë i Kosovës, pyes:
- Si lejojnë qeveritarët tanë që të qëndroj në Kosovës, një president i një vendi që ditë e natë punon kundër Kosovës (ai dhe vendi i tij)?
- Me çfarë morali qeveritarët tanë lejojnë një president që ta vizitojë Kosovën kur ai atakon hapur përmes strukturave paralele rendin kushtetues të Kosovës? (Rasti i fundit në veri të Kosovës hiç më larg se një ditë para vizitës së Tadiqit në Kosovës. A mos vallë, kjo është rastësi?!)
- Ku marrin motiv, zyrtarët tanë që të lejojnë një president serb të vizitoj Kosovën, kur ai gjatë gjithë kohës shprehet hapur kundër shtetësisë së Kosovës?

Unë kujtoj se presidenti i Kosovës, qeveria dhe kryeparlamentari më në fund do të duhej që t’i thoshin JO Tadiqit dhe vartësve të tij, e për ti thënë JO kanë 1001 arsye, ndërsa për ta lejuar nuk e kane asnjë arsye të vetme.

Tadiqi edhe kësaj radhe do të qëndroj në Kosovës i shoqëruar nga rojet e tij të armatosura, do të mbaj fjalime që inkurajojnë strukturat paralele serbe në Kosovë dhe që poshtërojnë dhe përdhosin institucionet e Kosovës në vendin e tyre.

Dhe në fund fare, autoritet e Kosovës nuk është dashur që të behën pjesë e vizitës së Tadiqit në Kosovë, kurse miqve tanë ndërkombëtarë, t’u tregojnë më në fund se janë të vendosur që ta zbatojnë Kushtetutën e vendit, të cilën e kanë hartuar dhe e kanë miratuar së bashku; t’u tregojnë miqve tanë dhe popullit të Kosovës që i ka votuar se janë të vendosur dhe serioz në ndërtimin dhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.

Të shpresojmë se kjo do të jetë hera e fundi që institucionet tona sillen kështu!

(kontakti: shkodrar@yahoo.com)