Kryeministri shqiptar Edi Rama po qëndron për një vizitë në Prishtinë në një periudhë, kur Kosova po përballet me tensione në veri.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se me qasjen që kishte sot në Prishtinë, Edi Rama u mundua ta pastroj veten nga ato që ndodhen në Tiranë.

“Në këtë rast Rama shfrytëzoi rastin që të vijë në Kosovë dhe të jep mesazhe që nuk është se i kemi dëgjuar më parë. Ai bëri thirrje që Serbia t’i ndaloj manovrat në veri të Kosovës. Çështjen e Open Balkan e kaloi disi në heshtje. Pra kjo vizitë është e rëndësishme edhe për Kosovën por më shumë i shërbeu vet Ramës”, deklaroi Mushkolaj.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se mospajtimet Rama-Kurti janë shumë të thella dhe vështirë se mund të tejkalohen me një takim.

“Megjithatë vizita e zotit Rama në Kosovë ka rëndësi të madhe sepse më së shumti i ndihmon Kosovës të paraqes një ardhje të përkrahjes në situatën që jemi. Përkrahja e Tiranës zyrtare në këto momente është e mirëseardhur dhe e rëndësishme. Megjithatë qëndrimet për Open Ballkan nuk do të largohen as me këtë takim e as me shumë takime tjera. Rama ka investuar shumë në këtë iniciativë”, deklaroi Ymeri.

Astrit Gashi thotë se Rama me këtë vizitë dëshiron ta përmirësoj imazhin e tij në raport me qytetarët e Kosovës.

“Por edhe qëndrimi i Ramës për situatën në veri është shumë me rëndësi pasi ne e dimë se një armik e kemi të hapur por sa të tjerë armiq kemi. Qëndrimi asnjëjës i BE-së është shumë i dyshimtë pasi ata barazojnë prezencën e Policisë së Kosovës me personat që qëndrojnë aty e që nuk i dimë kush janë. Vizita e Ramës në këtë moment na është dashur si shoqëri. Vizita ka ardhur në një moment të mirë”.

Ylli Hoxha thotë se Rama në Kosovë ka marrë një mësim.

“Rama sot kuptoi se raportet mes shqiptarëve nuk rregullohen përmes Beogradit, por përmes Prishtinës. Pra një incident i vetëm dhe del në pah se kush është Serbia”, deklaroi Hoxha.

Kreshik Gashi nga BIRN thotë se vizita e Ramës në Kosovë nuk ndikon në uljen e tensioneve në veri.

“Deklaratat duhet të jenë vetëm në favor të shtensionimit të situatës. Deklaratat nacionaliste të Ramës, nga serbët në veri shihen si përkrahje ndaj qeverisë siç ne e pamë vizitën e ambasadorit rus në afërsi të kufirit me Kosovën. Sa më pak deklarata në kotë kohë do të ishte më mirë për banorët që jetojnë atje”, deklaroi Krashnik Gashi.

Kujtojmë, qytetarët serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në veri në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave./Telegrafi/