LAJMI I FUNDIT:

Vizat i heqim ne

Përpara se të kritikohet Bashkimin Evropian, ishte dashur të pyesim vetveten se çfarë kemi bërë ne, ku jemi me plotësimin e kritereve për heqjen e vizave. E para, liberalizimi i vizave që do të thotë thjeshtësimi i procedurave për marrjen e vizës, nuk duhet të jetë më temë, por heqja e tyre. Sepse, shumë qytetarë të Kosovës udhëtojnë përditë me viza në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Me një apo dy dokumente më pak a më shumë, kjo është pak e rëndësishme.

Debati që po zhvillohet këta muajt e fundit, ka marrë kahje krejt të gabuar. Pothuajse të gjitha fajet për “izolimin” e Kosovës i drejtohen Bashkimit Evropian! E meriton, pa dyshim, por përpara se të kritikohet Brukseli, ishte dashur të kritikojmë vetveten dhe pastaj me fakte në dorë të lëshojmë kritika.
Disave mbase u konvenon që për një arsye apo tjetër, të fajësohet Brukseli. Edhe një pjesë të qeverisjes madje, sepse kështu e heqin përgjegjësinë.


Opozita dhe shoqëria civile duhet të fokusohen tek institucionet e Kosovës. Temë duhet të jetë kur do t’u hiqen vizat të gjithë qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian dhe çfarë paraprakisht duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që ky proces të përmbyllet sa më shpejt.

Pastaj do të ketë kohë të kritikohet Bashkimin Evropian për sjelljen e butë ndaj Serbisë, ndonjëherë deri në përçmim të pashembullt të Evropës.
Disa politikanë evropianë shprehen se njohja e Kosovës nuk është kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, mirëpo kjo nuk është e vërtetë.

Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian me pretendim për ndarjen e Kosovës, as me organizim të strukturave paralele e sabotazhe kundër saj.
Edhe sikur Bashkimi Evropian të bëhej kaq i pafytyrë, Kosova duhet ta bindë se nuk mund të përdorë standarde të dyfishta ndaj shteteve në Ballkan.

Kështu që Prishtina duhet të punojë që ta pengojë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian përpara se ajo ta njohë realitetin e ri, shtetin e Kosovës. Bëhet. Prishtina mund ta bindë Brukselin, me qejf e me zor, të sillet ndryshe me Serbinë kur është fjala e raporteve me Kosovën. Kur? Atëherë kur institucionet e Kosovës dëshmojnë se janë të përkushtuara maksimalisht për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, sundimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, dukë bërë reforma në drejtësi, shëndetësi, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke kërkuar me ngulm nga EULEX-i për të përfunduar më në fund atë farë “shtrirjen” e tij dhe për të ndihmuar në zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri dhe enklava.

Atëherë, kur të ndodhë kjo, Bashkimi Evropian do ta tërheqë EULEX-in nga Kosova dhe do të na ofrojë vetë mundësinë për të udhëtuar pa viza.

Absolutisht, askush nuk mund të pajtohet se si një shtet, fajtori kryesor dhe i vetëm për gjenocidin e ushtruar në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, Serbia, na paraqitet nga Brukseli si një vend që po ndryshon, ndërkohë që nuk u ka kërkuar falje publike shqiptarëve për krimet çnjerëzore që ndodhen dje.

Pra, Prishtina zyrtare duhet të kryejë punët e veta me përgjegjësi, të bëjë presion ndaj EULEX-it, e madje edhe ndaj përfaqësuesve të KFOR-it, që pa hezitim vlerësojnë se nuk janë përgjegjës për zhbërjen e strukturave paralele. Po sikur institucionet e Kosovës të vendosin që me forcë t’i zhbëjnë këto struktura (ashtu sikurse do të reagonte edhe shteti më demokratik evropian), dhe të ketë kundër-reagim me forcë, atëherë kush është përgjegjës për paqen, sigurinë dhe mjedisin e sigurt.

Të gjithë e dinë këtë nga reklamat – KFOR-i. Është më mirë të mos lihen punët për ditën e fundit, por të gjithë të angazhohen për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, të cilin nuk mund ta zhbëjë kurrë më as Serbia dhe as Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Sa për dijeni, pasaporta biometrike është kriteri i fundit që duhet plotësuar.