LAJMI I FUNDIT:

Vizat “hiqen” gjatë fushatës

Është e mërzitshme të aplikosh për vizë në ndonjë nga ambasadat e huaja në Kosovë. Megjithatë më habit dëshpërimi dhe reagimi aspak politik i ministrit në largim, Bajram Rexhepi. Ai, duke shfrytëzuar pozitën, e ka pasur fatin këto dhjetë vjetët e fundit të udhëtojë me pasaportë diplomatike. Dëshpërimi i tij me siguri ka të bëjë me “ndjenjën” që ministri ka ndaj qytetarëve që nuk e gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në Evropë. Është ndjerë keq për ato nëna që u janë tharë lotët nga malli për fëmijët e tyre, djemtë e vajzat, që nuk i kanë parë me vite. E kuptueshme nga ky këndvështrim, dhe do të duhej vërtetë t’i vinte keq, porse ai, qeveria aktuale dhe qeveritë e pasluftës, është dashur të ishin paksa më të kujdesshëm me punët e brendshme. Nuk hiqen vizat brenda një nate. Ne ende e kemi kryeqytetin përplot bërllok, një xhungël urbanistike të pa shoqe në Evropë, e të mos flasim për ato kriteret, të cilat kërkohet të plotësohen paraprakisht prej nesh.

Do të doja shumë që ministrat tanë të jenë kaq të zëshëm ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian, sidomos atëherë kur kanë të drejtë. Dhe sado e çuditshme, ndonjëherë kanë arsye të ngrehin zërin, por nuk dëgjohen. Në këtë rast ministri Rexhepi nuk ka të drejtë. Ashtu sikur nuk kishte të drejtë kur e akuzoi ish-ministrin Skënder Hyseni për bllokimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Jo se Hyseni kishte bërë ndonjë punë të madhe dhe bllokoi rezultatet (nuk do ta bënte kurrë), por se kapacitetet dhe strategjia e qeverisë, të cilës i takonin këta dy ministra ishin të kufizuara. Akuzat që i bënë njëri-tjetrit, Rexhepi e Hyseni, për bllokim të njohjeve dhe krimin e organizuar, ishin në funksion të fushatës së tyre paraelektorale dhe në dëm të Kosovës. Megjithëkëtë realiteti është pikërisht ky që deklaruan këta dy zotërinjtë, të cilët bashkë me kryeministrin në largim, për arsye që do t’i them më poshtë, janë përgjegjësit kryesor që Kosova vazhdon të mbetet pa udhërrëfyes.


Kosova nuk arriti njohjet e dëshirueshme as pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, edhe pse ish-ministri Hyseni vazhdimisht manipulonte me opinionin duke paralajmëruar valë të reja të njohjeve të Kosovës, madje dhjetëra sosh, siç thoshte ai, në seri. Propaganda është e kuptueshme, ka një qëllim, porse kur nuk korrë asnjë rezultat, është kontra-produktive. Me siguri ish-ministri Hyseni do ta ketë rastin gjatë fushatës që po afrohet të arsyetojë edhe dështimet e tij në postin e ministrit të Punëve të Jashtme!? Do të duhej të tregojë pse nuk solli rezultate lobimi i tij. Nëse e refuzuan atë si ministër, cilat ishin përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të kontaktuar dhe ndryshuar qëndrimin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën!? Është organizuar ndonjë konferencë apo takim mes intelektualëve, sportistëve apo studentëve, në Greqi, Sllovaki, Spanjë, Rumani apo Qipro? Kemi nevojë për këto njohje, apo dikujt nuk i bëhen vonë as njohjet, as heqja e regjimit të vizave dhe as integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian?

Po Rexhepi, si ministër i Punëve të Brendshme, a ka arritur që në nivelin e duhur të plotësojë kriteret e nevojshme (të kërkuara nga Komisioni Evropian), menaxhimin e kufijve, shuarjen e strukturave paralele, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar? Nuk po themi në zhdukjen e tërësishme të këtyre fenomeneve, sepse aq janë shtresuar këto dhjetë vjet sa që do t’i duheshin edhe dy-tre mandate “luftë” dhe “zero tolerancë” për të shkëlqyer si ministër. Atëherë, që thonë poetët, a thua vallë, pse ishte kaq i dëshpëruar dhe i inatosur ministri Rexhepi me Cecilia Malmstrom? Aha, e kuptueshme. Zgjedhjet po afrohen. Mbase edhe Rexhepi do të na shpjegojë gjatë fushatës arsyet e dështimeve të tij në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, pasi qytetarët ende nuk e kanë të qartë reagimin e pavend të tij. Dëshpërimi ishte me vend, por pse ndaj komisioneres evropiane!?

Tri vjet më parë, të dëshpëruar nga qeverisjet e mëparshme, ata pak qytetarë që dolën në zgjedhje i dhanë votën Partisë Demokratike për të ndryshuar gjendjen që e kishte pllakosur Kosovën. Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, pavarësisht disa të arriturave të pamohueshme, nuk arriti të plotësojë premtimin për qeverisje të mirë. E vërtetë, gjatë këtyre tri viteve kishim më shumë rrymë, më shumë shkolla të reja dhe më shumë rrugë të asfaltuara, mirë apo keq. Por nga ana tjetër, përveç deklaratave, nuk kishte luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, nepotizmit, nuk kishte shtim të investimeve të huaja dhe as zhvillim ekonomik. Andaj Thaçit, i cili pas veprimit të pashembullt të Lidhjes Demokratike, u vetshkarkua nga posti i kryeministrit me shpresë se qytetarët do ta votojnë serish, do t’i duhet të jep shumë mund që t’i bind votuesit edhe për një mandat.

Qytetarët janë ngopur me demagogji, tallje dhe injorim nga kryeministrat dhe ministrat e pasluftës. Secili prej tyre, kush më pak e kush më shumë (nuk e dimë sa, sepse ende janë “imun” ndaj drejtësisë), kishin huqje të mëdha në qeverisje dhe menaxhimin e parasë publike. Megjithëkëtë, zgjedhjet e ardhshme nuk pres t’i fitojë as Lëvizja Vetëvendosje! as Fryma e Re, edhe pse pjesëmarrja e këtyre subjekteve në zgjedhje do të ndryshojnë dukshëm balancin në skenën politike. Sidoqoftë, qytetarë të nderuar, mos i bojkotoni zgjedhjet, por votojeni njërën prej partive “të vjetra” apo “të reja” dhe më në fund filloni të kërkoni përgjegjësi prej tyre. Shumica jonë nuk dëshirojnë të jetojnë as në Zvicër, as në Gjermani, as në Angli, askund tjetër në Evropë. Për neve, Kosova është pjesa më e mirë e Evropës. Andaj për të mos e gjunjëzuar shtetin e sapondërtuar, si qytetar i këtij vendi, u bëj një apel partive që e kanë qeverisur Kosovën këto dhjetë vjetët e pasluftës: Ju lutemi mos na i vidhni votat si atëherë… Le të fitojnë ata/ato që ne si shoqëri vlerësojmë se duhet të fitojnë, për të parë se sa jemi pjekur dhe sa jemi të aftë për të gjykuar drejtë. Ky është zhvillimi, kjo është demokracia dhe dhurata më e mirë që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës.

Për fund – kur flasim për Evropën, që të gjithëve na kujtohet i madhi Gjergj Fishta. Ishte shumë i dëshpëruar me qendrat vendosëse evropiane, por ndryshe nga ministrat tanë, ai ishte i dëshpëruar edhe me shqiptarët, me vetveten. Asokohe “Evropa Plakë” e ndihmoi ndarjen e kombit shqiptar, e mbeti e ndarë edhe vet. As sot, nuk e ka atë shkëlqimin që do të dëshironte ta ketë në skenën ndërkombëtare. Sa është e bashkuar është edhe e përçarë. Kjo u vërtetua edhe me rastin e Kosovës. Por, atëherë kur ne vërtetë do ta duam Kosovën, atëherë kur ne do t’i kryejmë punët tona me përgjegjësi, Evropa ashtu siç është…, do të “dorëzohet” para suksesit tonë, do t’i bind edhe ato anëtare të saj të ndryshojnë qëndrimin, dhe do të na i hap dyert e mbyllura me dhe pa të drejtë. Sepse, Evropa, megjithatë nuk është më ajo “plaka”. Sepse, ato kritere duhet t’i plotësojmë për vetveten.
Unë nuk kam nevojë për vizë, sa kam nevojë për një Kosovë ndryshe.

Në trend

Më shumë
Thomas Tuchel konfirmon një mungesë të madhe të Bayernit për ndeshjen me Real Madridin

Thomas Tuchel konfirmon një mungesë të madhe të Bayernit për ndeshjen me Real Madridin

Liga e Kampionëve
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Pas 22 vitesh klubi i njohur kthehet në Ligën Premier – fituesit e titullit dhe një trofeu evropian tani janë në elitën e futbollit anglez

Premier League

"Po na djegin, ju lutem na ndihmoni", rusët nuk kanë zgjidhje për sulmet me dronë të ukrainasve

Evropa
Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Rusët i futen tregut të pronave në Shqipëri, zyra biznesi në zonat bregdetare

Lajme
Diola Dosti dhe Erolld Belegu në vëmendjen e publikut:  Biznesmeni jep përgjigjje për të gjitha kritikat e publikut

Diola Dosti dhe Erolld Belegu në vëmendjen e publikut: Biznesmeni jep përgjigjje për të gjitha kritikat e publikut

Magazina
Kalo në kategori