LAJMI I FUNDIT:

Vitrinalëpirësit

Vitrinalëpirësit

Në Francë, sidomos me raste festash mbarëpopullore, vendësit, natyrisht në gjuhën e tyre amtare, kur dalin rrugëve vetëm sa për të parë vitrinat e dyqaneve të mëdha e të vogla, por pa pasur ndër mend të blejnë ndonjë gjë, përdorin rëndom togfjalëshin lécher les vitrines, d.m.th., fjalë për fjalë, “të lëpish vitrinat”. Sigurisht, kjo ndodh zakonisht e rregullisht në të gjitha vendet e botës, pra, edhe në Shqipërinë tonë marramendthi demokratike, ku të panumërt janë ata që lëpijnë vitrinat edhe me rastin e Krishtlindjeve e të ndërrimit të viteve.

Këtë pjesë jo të vogël të popullit tonë, lexueset dhe lexuesit e mi seriozë do të më lejojnë ta quaj, pra, vitrinalëpirësit. Kësaj kategorie shqiptarësh me të ardhura modeste që mjaftohen, pasi i kanë lëpirë mirë e bukur, gjatë e gjerë, poshtë e lart vitrinat e zbukuruara me shije dhe plot artikuj luksi, por me çmime të papërballueshme për xhepin e tyre treçerek të zbrazët, u duhen shtuar edhe ata që futen dyqaneve si të futeshin në një muze ku hyrja është falas, por vetëm kaq dhe asgjë më tepër, çka, në gjuhën tonë amtare, ilustrohet me shprehjen e hidhur “shih me sy e plas me zemër” veçanërisht kur ke një qerrata qeverie që të plas shpirtin ose ta sjell në majë të hundës.

Këto tre-katër vjetët e fundit, numri i vitrinalëpirësve te ne ka ardhur duke u shtuar së tepërmi dhe nuk është e nevojshme të jesh sociolog apo filozof për ta shpjeguar këtë dukuri pikëlluese, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët e të rinjtë e shtresave sociale në nevojë: Rilindja e trumbetuar me aq bujë nga qeveria Rama po merr përherë e më shumë tiparet e një rivdekjeje të paralajmëruar, e një rivdekjeje, e cila, përmes varfërimit galopant të pjesës më të madhe të popullit tonë të rraskapitur deri në fatalizëm, po sundon vrazhdësisht duke u shtrirë kryesisht në sferën social-ekonomike, por edhe në atë shpirtërore.

Sigurisht që ushtria e vitrinalëpirësve, të paktën tani për tani, nuk shfaq asnjë rrezikshmëri për qeveritarët tanë dhe sahanlëpirësit e tyre, por në muajt e ardhshëm, ku i dihet: Pas protestave të banorëve të “Astirit”, të naftëtarëve e të biznesit të vogël, pas lëvizjes për mbrojtjen e Teatri Kombëtar e, sidomos, pas protestave të studentëve, mund të piqen kushtet që qeveritarëve tanë, përfshirë edhe zëvendëskryeministrit e ministrave të sapoemëruar, edhe atyre të saposhkarkuar, t’u duhet, kundër dëshirës vetjake, të përballen gjithashtu me vitrinalëpirësit!

“Si kështu?”, mund të pyesë ndokush me të drejtë.

Po, po, kështu dhe jo ndryshe! Sepse pikërisht vitrinalëpirësit mund t’i detyrojnë, në një mënyrë apo në një tjetër, qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre t’i heqin petkat luksoze zyrtare për të veshur kostumin e mbretit të Andersenit dhe të dalin faqe botës me gjethe fiku diku poshtë kërthizës, si Adami me Evën, në vitrinat e stisura e të stolisura për të “dialoguar” me vitrinalëpirësit, por këta do të kërkojnë prej atyre vepra dhe jo vetëm fjalë të bukura e gurë në trastë.

Sidoqoftë, ndoshta nga të qeshurat e tyre të papërmbajtshme, xhamat e vitrinave mund të krisen, të thyhen dhe, mos e dhëntë Perëndia apo Rastësia, vitrinalëpirësit mund t’i nxjerrin qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre pa dashuri e pa delikatesë në rrugë për t’i kundruar e prekur jo vetëm me sy, por edhe me duar që të binden një herë e mirë se ata nuk janë as engjëj e as shenjtorë, as prej druri e as prej kauçuku, por prej mishi, gjaku e kockash. Për një çast, ndoshta vitrinalëpirësit mund të çorientohen e të pyesin njëri-tjetrin se çfarë mund të bëjnë me ta, por nëse ata nuk do të arrinin të përcaktonin të ardhmen e atyre manekinëve që i kanë qeverisur, atëherë unë do t’u propozoja që t’u marrin masat trupore dhe t’i nxjerrin secilit nga një kallëp prej dylli.

“Prej dylli?”, do të më pyesni ju me habi, o lexuese e lexues të dashur, duke mos u besuar veshëve ose duke pandehur që unë kam rrjedhur nga trutë. Po, po, prej dylli – po nxitoj t’ju përgjigjem krejt sinqerisht – prej dylli, patjetër, në mënyrë që sozitë e tyre të dyllta e shurdhmemece të ekspozohen një ditë, përkrah simotrave prej dylli të personaliteteve më të shquara me famë botërore, në muzeun Grévin të Parisit, ku pushtetarët tanë të ardhshëm dhe sahanlëpirësit e tyre do të kenë fatin t’i sodisin me epsh nostalgjik duke u lëpirë me sytë plot sklepa e me gjuhën plot jargë tërë trupin pa më të voglin diskriminim anatomik. /Panorama/

Në trend

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Kalo në kategori