Janë bërë tre ditë nga zhdukja e shtetasit shqiptar, Florian Tabaku, 26 vjeç, i cili kishte dalë për të mbledhur gështenja në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kërkimet për të vijojnë ende në zonën e Morinës së Tropojës, në afërsi të kufirit ndërmjet dy shteteve.


“Janë bërë tre ditë që djali i axhës, Florian Tabaku, është zhdukur. Jemi duke e kërkuar. Është jetim, jeton vetëm me nënën dhe motrën. Aktualisht ndodhemi në Morinë të Tropojës, në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e kërkuar”, tha për Telegrafin kushëriri i Florianit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacion apo e kanë parë Florianin, të lajmërohen menjëherë, duke shtuar se veshja e tij në momentin e zhdukjes është ajo që shihet në fotografi.

Edhe Policia e Kosovës, në një njoftim zyrtar, ka bërë të ditur se Florian Tabaku kishte dalë për të mbledhur gështenja në brezin kufitar me Shqipërinë.

Njësitë policore, njësitë e kërkim-shpëtimit dhe disa banorë të zonës janë angazhuar në operacionin e kërkimit. Po ashtu, edhe autoritetet shqiptare janë përfshirë në kërkimet nga ana tjetër e kufirit.

Fotografia është publikuar me lejen e familjarëve. /Telegrafi/