LAJMI I FUNDIT:

I vetmi mësim që mund të marrim nga historia është se historia nuk na mëson asgjë

I vetmi mësim që mund të marrim nga historia është se historia nuk na mëson asgjë

Nga: Mikhail Shishkin, shkrimtar rus (titulli origjinal: “The west is trying to quietly forget the war in Ukraine. It does so at its own peril”) / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Në faqen e parë – lufta; në faqen e fundit – fjalëkryqi”. Më erdh në mendje vargu i romanit tim “Drita dhe errësira”, teksa – menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia – po udhëtoja me tren.

Ulur përballë meje, një pasagjer lexonte gazetën: në faqen e parë ishte lufta; në faqen e fundit, fjalëkryqi. Që atëherë ka kaluar një kohë dhe mizoritë e përditshme kanë filluar të zhduken prej titujve kryesorë, pavarësisht se betejat çdo ditë po bëhen më të egra. Por, askush në Perëndim nuk dëshiron të dëgjojë më për luftën – njerëzit janë të lodhur nga tmerri dhe nga solidariteti. Duan paqe, pa rritje çmimesh, një jetë të qetë dhe një pushim të këndshëm.


Nuk është hera e parë që shkrimi im ka dhënë alarmin për tmerret që do të vijnë. Përpara aneksimit të Krimesë, përdora një analogji me përrallën popullore ruse të Teremokut, për ta përshkruar të ardhmen e pasigurt të Evropës. Njëherë e një kohë ishin disa kafshë pylli që jetonin së bashku në një shtëpi të vogël komode – në teremok. Një ditë, një bretkosë troket në derë. “Tak, tak! Kush banon në këtë teremok? Më lëni të hyj, do të doja të jetoja këtu me ju”. Kafshët e lanë bretkosën brenda dhe të gjithë pajtohen se është shtëpi e lumtur dhe komode. Ata madje lanë lepurin Kajvard dhe dhelprën Rejnard – ka vend për të gjithë në teremok. Por, më pas vjen ariu Bruin. Sado që të përpiqet, nuk mund të futet në teremok. Ariu largohet i tërbuar dhe ulet në shtëpi. Dhe, ky është fundi i teremokut – dhe i përrallës.

Por, asnjë paralajmërimi nuk iu kushtua vëmendja. Në vitin 2014, menjëherë pas aneksimit të Krimesë, shkrova, me një nevojë urgjente se “në shekullin XXI nuk ka më luftë të largët të lokalizuar. Tani çdo luftë është luftë evropiane. Dhe, kjo luftë evropiane tashmë ka filluar”. Paralajmërova se aneksimi i Krimesë nga Vladimir Putin do të “krijonte një valë patriotizmi. Herët a vonë, kjo valë do të shpërthejë dhe atëherë Putinit do t’i duhet një epokë e re”. Kam shkruar se si vitet e paqëndrueshmërisë kronike në Ballkan do të krijonin nivele të larta shkatërrimtare të migrimit nëpër vendet evropiane, me një “valë të pakonceptueshme më të madhe të refugjatëve nga Ukraina”.

Në atë kohë ende ishte një shans për ta ndalur agresorin. Megjithatë, politikanët evropianë mbyllën sytë ndaj realitetit, në përpjekjen për vëmendjen e votuesve. Votuesit donin paqe edhe atëherë; punë, pa rritje çmimesh dhe pushime të këndshme. Ekspertët e korruptuar rusë këmbëngulën se duhet ta kuptojmë këndvështrimin e Putinit dhe të bëjmë lëshime.

Dhe tash, ja ku jemi: në mes të një lufte evropiane, duke u përballur me një valë të paprecedentë refugjatësh nga Ukraina dhe duke e pyetur veten se si politikanët tanë mund të ishin kaq të verbër. Askush nuk i dëgjon më shkrimtarët. I vetmi mësim i vërtetë që mund të nxjerrim nga historia është se historia nuk na mëson asgjë.

Në Gjermani, intelektualët kanë mbledhur mijëra nënshkrime në një peticion që kërkon që qeveria e tyre të ndalojë dërgimin e armëve në Ukrainë, sepse kjo mund të çojë në një luftë të tretë botërore. “Duam politikë paqeje, jo lufte”, shkruajnë ata. Por, Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar. Filloi në vitin 2014. Si mund ta shëroni verbërinë e dikujt, nëse ai dëshiron të jetë i verbër?

Tani shtrohet pyetja, si dhe kur do të përfundojë kjo luftë? Lufta kundër Gjermanisë naziste nuk përfundoi me vdekjen e Hitlerit, por me një disfatë shkatërruese ushtarake. Vdekja e Putinit është e pashmangshme një ditë, por disfata e Rusisë nuk është.

Përgjigja bazohet në autenticitet. Disa carë janë të vërtetë, disa janë të rremë. Nëse Rusia e Shenjtë e zgjeron territorin e vet dhe popujt tjerë përkulen para autokratit në Moskë, popullsia vasale që rraskapitet, që lufton dhe që derdh heroikisht gjak për atdheun e shenjtë mendon se ky është bekim nga Zoti. Dhe, atëherë nuk ka shumë rëndësi se si cari erdhi në pushtet ose si sundon mbi nënshtetasit e tij. Ai mund t’i therë ata në miliona, të shkatërrojë mijëra kisha dhe t’i ekzekutojë priftërinjtë – e vetmja gjë që ka rëndësi është se cari është i vërtetë, sepse atëherë armiku do të dridhet dhe Toka e Shenjtë do të zgjerohet. Kështu ishte me Stalinin.

Në të kundërtën, dështimet ushtarake dhe humbja edhe e një pjese të vogël të Tokës së Shenjtë do të shihet nga nënshtetasit e carit si shenjë e qartë se cari nuk është i bekuar – se është falsifikator i paligjshëm. A nuk dështoi në luftën me Japoninë? A nuk arriti t’i nënshtrojë çeçenët? Nëse është kështu, ai burrë në fron është mashtrues që paraqitet si car. Kështu ishte me Nikolain II dhe me Boris Jelcinin.

Putini e legjitimoi presidencën e vet duke e rifituar Krimenë, por legjitimiteti i tij po zhduket përmes paaftësisë së tij për të fituar kundër Ukrainës. Cari i radhës, në anën tjetër, do të duhet ta dëshmojë veten duke arritur fitore në një luftë kundër botës. Dhe, nëse për këtë Putini kërcënon me vendosjen e armëve taktike bërthamore, ky është thjesht një aspekt i luftës hibride; për Putinin e radhës vendosja mund të jetë mjet i nevojshëm në përpjekjen për të siguruar pushtetin.

Edhe Putini i radhës nuk do të jetë gjë tjetër veçse një aktor që nuk mund ta ndryshojë rolin e vet. Roli i tij do të jetë i parashkruar nga e gjithë struktura e fuqisë ruse, e cila nuk shqetësohet se sa njerëz do të vdesin në Ukrainë apo në Rusi apo kudo tjetër; nuk shqetësohet për burimet që shpenzon, numrin e armëve që vendos apo nivelin e viktimave ushtarake. Dhe, nëse cilësia e jetës ruse përkeqësohet? Kështu qoftë – regjimi kurrë nuk është kujdesur për lumturinë e popullit të vet.

Kushdo që është pjesë e kësaj strukture pushteti, nuk ka frikë të sulmojë Perëndimin. Në fund të fundit, nga kush duhet të kenë frikë? Nëse një raketë bie në territorin e një anëtari të NATO-s, çfarë atëherë? Më shumë takime, qëndrime, deklarata, thirrje për paqe? Është koha e fundit që bota e lirë të kuptojë se nuk po e lufton një diktator të çmendur, por një sistem pushteti agresiv, autonom dhe vetërigjenerues.

Struktura e lashtë shoqërore e autokracisë ruse është ruajtur për shekuj me radhë në depon e historisë dhe e heq lëkurën vetëm për t’u kthyer në maskë të re: si Hanati i Hordhisë së Artë ose Mbretëria e Moskës, si Perandoria e Romanovëve ose Bashkimi Sovjetik komunist i Stalinit dhe, së fundmi, si “demokracia e menaxhuar” e Putinit. Dhe, tashti Federata Ruse po heq edhe një herë lëkurën. Çfarë do të dalë nga themelet e patrazuara të diktaturës së pamposhtur ushtarake? A mund të jetë demokraci e lirë kushtetuese që me dëshirë heq dorë nga armët bërthamore? A ju duket e mundshme kjo?

Edhe para Luftës së Dytë Botërore njerëzit donin paqe, pa rritje çmimesh dhe me pushime të këndshme. Votuesit shpresonin që qeveritë e tyre demokratike, në Francë dhe Britani, do ta ndiqnin një politikë paqeje me Hitlerin dhe jo atë të luftës. Ajo që pasoi është historia, e përfshirë në mesazhin e ashpër, të sinqertë dhe tragjik të Winston Churchillit për votuesit: “Nuk kam asgjë për të ofruar përveçse gjakut, mundimit, lotëve dhe djersës”.

Herët a vonë, premtimet e ngjashme duhet të bëhen – në vend të pushimeve të bukura, votuesit evropianë duhet të kaliten për sakrifica, luftë dhe vështirësi të mëdha, sepse ky është çmimi që duhet të paguajmë për paqen. /Telegrafi/