LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje! për bashkim…

Lajmi për hyrjen e lëvizjes Vetëvendosje! në politikë, edhe pse mbeti nën hijen e arrestimit të liderit të saj, Albin Kurti është sa interesant aq edhe i rëndësishëm. Kjo lëvizje realisht që prej krijimit të saj pra para 5 vitesh ka qenë në politikë, madje e angazhuar në mënyrë intensive. Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë një presion të jashtëzakonshëm mbi të gjitha proceset, në të cilat Kosova u detyrua të bënte kompromise të mëdha dhe për hir të vërtetës ka qenë e vetmja, në një skenë ku të gjitha forcat politike u “çarmatosën.”

Mirëpo vendimi për të hyrë në zgjedhje është një hap vendimtar për ta. Në fakt shndërrimi i një lëvizje politike në një subjekt elektoral nuk është gjë e re as për skenën politike në Kosovë, pasi partitë aktuale si LDK, PDK, AAK fillimisht kanë qenë të tilla, pra lëvizje politike, e para paqësore dhe dy të dytat vijnë nga një lëvizje politiko- ushtarake. Natyrisht ato kishin lindur në kushte shumë të vështira dhe misioni i tyre ka qenë largimi i pushtuesit serb nga territori i Kosovës.


Lëvizja Vetevendjosje! Është krijuar në kushte shumë më komode, por gjithsesi në kushtet e një misioni të papërfunduar, e që ishte ai i të drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës.

Këtë mision e humbën gjatë rrugës partitë politike që ishin në pushtet. Realisht klasa politike e Kosovës pranoi në heshtje dhe pa kushte pakon Ahtisaari, një pako më kompromise shumë të dhimbshme. Dhe ishte pikërisht lëvizja Vetëvendosje! ajo që krijoi baraspeshën politike, duke tërhequr vëmendjen për çdo pikë, rrethanë a rrezik, duke sfiduar vetë procesin diplomatik, i cili e solli Kosovën në ditën e pavarësisë, por gjithsesi të kushtëzuar dhe me një qerre problemesh të pazgjidhura brenda.

Po përse është interesante hyrja në zgjedhje e kësaj lëvizjeje rebele por edhe vizionare, dhe kurrsesi radikale apo anarkiste siç kanë dëshirë ta portretizojnë disa analistë oportunistë, që gëlojnë pranë pushtetit aktual?

Së pari, e bën vetë shndërrimi i saj nga një lëvizje politike e projektuar si një mision jashtë-institucional, në një parti politike (edhe pse nuk do të quhet e tillë, pra parti)
e cila tenton të bëhet pjesë e tyre, pra institucioneve të cilat i ka kundërshtuar me forcë për shkak të subordinimit nga misionet ndërkombëtare.

Së dyti është sepse Lëvizja Vetëvendosje! Me gjithë pjesëmarrjen në garën politike, duket se nuk ka ndërmend të braktisë karakterin e saj, pra atë të një lëvizje që përfaqëson interesat sociale. Që në fillimet e saj kjo lëvizje është organizuar rreth një numri çështjesh të ndryshme, jo vetëm politike dhe tashmë nuk është aspak risi se ajo ndan të njëjtat shqetësime me pjesën më të madhe të shoqërisë, e cila është brengosur me atë që po ndodh çdo ditë në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje! do të jetë e detyruar të ruajë fort dhe me fanatizëm këtë komponent pasi çdo ngjashmëri me subjektet e tjera politike do të ishte fatale për ta. Në fakt është pikërisht ky dështim i partive politike në Kosovë, që për dhjetë vjet u brengosën vetëm për pushtetin dhe mirëqenien e tyre, dhe sidomos apatia e tyre gjatë negociatave për statusin, i cili i ka krijuar hapësirën politike Lëvizjes Vetëvendosje!.

Së treti, shndërrimi i Vetëvendosjes! ka ardhur si nevojë e vetë qytetarëve, pra nga poshtë-lart dhe jo anasjelltas. Gjatë pesë viteve të funksionimit të kësaj lëvizjeje, gjithnjë e më shumë është rritur besimi tek ta dhe projektimi si një forcë politike në mendjet e njerëzve, e cila do të mund t’i kundërvihej “kastës” aktuale. Kjo përkrahje vjen si reagim dhe është e lehtë për të gjithë ne të konstatohet, nga kontaktet tona të përditshme, numri i pjesëmarrësve nëpër demonstrata dhe sidomos rasti i mbledhjes së 180 mijë nënshkrimeve kundër procesit politiko-gjyqësor ndaj Albin Kurtit. Jam e bindur se numri i nënshkrimeve do të kishte qenë shumë më i madh sikur organizatorët të kishin vazhduar me mbledhjen e tyre.

Së katërti Lëvizja Vetëvendosje! ka një identitet dhe vizion të qartë. Është një subjekt i cili të ardhmen e Kosovës e sheh së bashku me atë të Shqipërisë. Pra çështja kombëtare, të cilën vetëm pavarësia e Kosovës nuk ka sesi ta zgjidhë, edhe sikur ajo të ishte e plotë dhe perfekte, është në agjendën e tyre të hapur, dhe jo në nivelin e dëshirave patriotike e të ndrydhura të një numri të madh politikanësh këtej e andej kufirit.
Pra Vetëvendosje! e ka të zgjidhur problemin e sinqeritetit me vetveten dhe të tjerët!

Së pesti, Lëvizja Vetëvendosje! është e vetmja që ka nje rrjet mbeshtetësish dhe strukturash edhe jashtë territorit të Kosovës, gjë që jep asaj karakter kombëtar. Djem e vajza të reja, në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi janë sot pjesë aktive e kësaj lëvizjeje dhe misionit të saj. Një brez i tërë të rinjsh, të pakompleksuar si prindërit e tyre, por të vetëdijshëm për rëndësinë e çështjes kombëtare po shembin muret ndarëse mes shqiptarëve dhe shfaqin ambicjet legjitime fare hapur. E nëse për Kosovën vendosën të tjerët, një tjetër mision është konfiguruar tashmë, ai i vetëvendosjes për bashkim.

Së gjashti Lëvizja Vetëvendosje! ka një lider të cilin duhet t ia kenë zili të gjitha partitë politike. Nuk do ndalem këtu për të shpjeguar rëndësinë e liderit në krye të një force politike por Albin Kurti, është një lider intelektual, me personalitet të pakontestueshëm. Për vite me radhë, ai ka dëshmuar se ka një shpirt të pakompromentueshëm. E tillë është edhe fryma në lëvizjen që ai udhëheq. E shpirtra të tillë i duhen këtij vendi tani, kur oportunizmi është kthyer në moral të shoqërisë dhe shitja e shpirtit tek djalli, është bërë rregull e jo përjashtim.
E pra hyrja e një subjekti të tillë në dyert e parlamentit të Kosovës është pikërisht fryma e re qe i duhet politikës aktuale.

Padyshim lista e këtyre arsyetimeve mund të zgjatet por po kaq e gjatë do të jetë edhe ajo e sfidave që e presin Vetëvendosjen, në betejën elektorale. Dhe ja pse.
Së pari, është e vërtetë se kapitali i këtyre pesë viteve është i çmuar për këtë forcë politike. Djemtë dhe vajzat e kësaj lëvizjeve në një farë mënyre janë kalitur, e kanë bërë nxehjen për të hyrë në garë. Mirëpo gara institucionale dhe deri në një farë mënyrë e pabarabartë në Kosovë është shumë më e vështirë. Përkrahja e madhe që ka marrë së fundi kjo lëvizje jo gjithmonë shndërrohet në votë. Si subjekt politik, Vetëvendosjes! i nevojitet një qasje më pragmatike ndaj pushtetit, natyrisht pa dalë jashtë natyrës së saj.

Së dyti pritet të shihet se si do të përfundojë procesi gjyqësor i Albin Kurtit, i cili gjithsesi u shpall fajtor nga gjyqtarë të misionit EULEX. Ai do ta duhej ta apelonte këtë vendim mirëpo është si një lloj kurthi që i ka ngritur vetvetes pasi Kurti nuk e njeh këtë gjyq dhe si rrjedhojë vështirë se mund të ndjekë edhe procedurat e një shkalle me të lartë. Mbetet pra në dorën e prokurorit nëse do ta apelojë vendimin, në shenjë pakënaqësie me verdiktin që dha gjykata dy ditë më parë.

Duhet të kemi parasysh edhe se fjalia “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” në Kosovë është vetëm retorikë. Në zgjedhjet e kaluara psh. jo vetëm që morën pjesë njerëz më precedentë penalë, por edhe u zgjodhën nëpër krye të komunave. E kur të vijë puna te Albini, sado që është një vendim i turpshëm dhe i pamoralshëm, ai mund të bëhet pengesë serioze për pjesëmarrjen e tij në zgjedhje.

Së treti që në zgjedhjet e para Lëvizja do të ballafaqohet me mungesën e fondeve për një fushatë të cilën oponentët politikë i kanë të siguruara. Natyrisht që në agjendën e tyre nuk do të jenë shpenzimet enorme për propagandë, por mbështetja financiare është faktor i rëndësishëm, edhe për të thithur njerëz të rinj.

E po kështu edhe mbrojtja e votës. Zgjedhjet lokale ishin dëshmi e nja procesi të manipuluar, me gjithë përpjekjet për ta minimizuar. Vjedhja e votave jo vetëm që nuk mungoi por rrezikoi të gjithë procesin demokratik. Çështja është a do të jenë në gjendje të rinjtë e Vetëvendosjes të mbrojnë votën e tyre? Shto këtu edhe blasfeminë e mediave të cilat kontrollohen nga qeveria, që mund të shndërrohen në një gjueti shtrigash, në momente vendimtare.

Por gjithsesi Vetëvendosje! nuk pret që dikush tua shtrojë rrugën me lule. Përkundrazi!
Hyrja në skenë tani, në kulmin e zhgënjimit dhe frustracionit si pasojë e një politike të korruptuar dhe të pasinqertë është momenti i duhur. Nuk është e rastësishme se më shumë se gjysma e elektoratit në Kosovë, deri tani kanë refuzuar të shkojnë pranë kutive të votimit.

Prandaj Vetëvendosjes! Nuk i mbetet tjetër veçse një CARPE DIEM!