Plagoset me armë zjarri një 50-vjeçar në Lipjan, policia jep detaje

Një 50-vjeçar dyshohet se është vetëplagosur të dielën me armë zjarri në fshatin Mirenë të komunës së Lipjanit.
Aktualisht, ai po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Nga QKUK kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e të lënduarit është stabile.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka deklaruar për Telegrafin se pacienti ka kaluar ekzaminimet e nevojshme dhe ndodhet në sallën operative të Emergjencës, ku po i nënshtrohet intervenimit nga ekipet e anestezionit dhe urologjisë.
“Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, tani është në sallën operative të Emergjencës duke u intervenuar nga ekipet e anestezionit dhe urologjisë. Pas operacionit do të transferohet në Klinikën e Urologjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Syla.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi për Telegrafin se personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor.
“Sot, rreth orës 12:00, policia është njoftuar se në fshatin Mirenë të Lipjanit, një person (mashkull) është plagosur me armë zjarri. Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe në koordinim me Prokurorin e shtetit, janë duke u marrë me hetimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin, ndërkohë që personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti../Telegrafi/







































